Skënderbeu për herë të dytë në Europa League - Shqiptari i Italisë

Shqipëri
Eliminon Dinamon e Zagrebit, falë një barazimi 0-0 që arriti me dhjetë lojtarë në fushë

Tiranë, 25 gusht 2017 – Skënderbeu ka realizuar mbrëmjn e shkuar një objektiv shumë të rëndësishëm. Për herë të dytë, korçarët mbërrijnë në fazën e grupeve në Europa League.

Pas 90 minutave, të mbyllura me 10 vetë, pas daljes me të kuq të Nimagës, por duke luajtur mbi të gjitha si i barabartë me Dinamo të Zagrebit, një prej emrave më të mëdhenj të futbollit ballkanas, Skënderbeu arriti një barazim të magjishëm pa gola në “Elbasan Arena”.

Pas barazimit 1-1 në ndeshjen e parë, korçarët morën pikërisht atë që kishin nevojë në kthim, një barazim pa gola që për të dytën herë në 3 vitet e fundit  i lejon të kualifikohen në fazën e grupeve të Europa League.

Arritja e korçarëve merr dhe më tepër vlerë teksa bëhen ekipi i parë shqiptar, që kalojnë katër ture në kompeticionet europiane. St. Julia, Kairat Almaty, Mlada Boleslav dhe Dinamo Zagreb janë skuadrat qe kaloi Skëndereu për të arritur kualifikimin. Falë kësaj arritjeje do të përfitojnë 3,3 milionë euro nga EUFA.