Topi i mbështetur nga ambasadorët: KQZ i përgjigjet ligjit, jo partive - Shqiptari i Italisë

Shqipëri

Presideti Bamir Topi, i shoqëruar nga ambasadorët e  SHBA-së, BE-së dhe OSBE-së në Tiranë, i bëri thirrje klasës politike t'i largohet retorikës së ashpër dhe të mos krijojnë situata tensioni. 

"Ne nuk jemi në epokën e para ligjit, por në epokën kur ka ligj dhe ai është i detyrueshëm të respektohet nga cilido dhe pa paragjykuar askënd", tha Topi ndërsa vuri në dukje se "kodi zgjedhor dhe ndryshimet kushtetuese të realizuara me vullnetin ekskluziv të dy partive kryesore më 21 prill të 2008, administrimi i procesit zgjedhor është përgjegjësi e partive politike që edhe KQZ-në e ndërtoi në mënyrë bipartizane".
Duke iu referuar situatës pas zgjedhore, Presidenti shprehu shqetësimin për "rritjen e emocioneve politike, për ato episode që nuk janë të këndshme për asnjë vend, aq më shumë për një vend anëtar të NATO-s".
"Veçanërisht sot është e rëndësishme dhe substanciale për demokracinë shqiptare, që te gjithe t'i drejtohen ligjit dhe vetëm ligjit", nënvizoi Kreu i Shtetit.
Presidenti vuri në dukje se anulimi i vizitës së Presidentit të KE-së, Hoze Manuel Barroso, që ishte parashikuar të zhvillohej në 20 maj, nuk është një shenjë e mirë për Shqipërinë, që vonon axhendën europiane. "Realizimi i vizitës së tij në Beograd dhe në Prishtinë dhe mos ardhja në Tiranë nuk është shenjë e mirë për Tiranën, pasi vonon axhendën e rëndësishme europiane. Në Europë nuk shkojmë për disa politikanë, por për të gjithë popullin shqiptar", përfundoi Presidenti Bamir Topi.

Më herët me një deklaratë të zëdhënëses së tij, Presidenti Bamir Topi, hodhi sot poshtë  spekulimet politike dhe mediatike, lidhur me votën e tij të fshehtë të dhënë më 8 maj për organet e qeverisjes vendore. Shume media hodhen dyshimin qe nje nga votat e panumeruara te njesise 8, te ishte ajo e presidentit.
Në deklaratë thuhet se Presidenti e ka ushtruar të drejtën e tij kushtetuese të votës, si çdo qytetar tjetër, me bindjen e plotë se vota e çdo qytetari është dhe duhet të jetë e fshehtë, siç përcaktohet nga Kushtetuta, Kodi Zgjedhor dhe Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë. "Çdo qytetar i interesuar ka pasur rastin të shohë në formë publike dhe vizive aktin e votimit të Presidentit të Republikës si votim i rregullt ligjor dhe korrekt. Çdo aludim tjetër mbetet produkt i sajuar politik dhe mediatik i lidhur me kontekstin politik të ditës, si dhe për tërheqjen e vëmendjes nga problemet e mëdha që po shfaq vonesa  me administrimin ligjor të rezultatit të zgjedhjeve", thuhet në këtë deklaratë.  Presidenti refuzon të përfshihet në spekulimet dhe lojërat politike të ditës dhe me cilësinë e Kryetarit të Shtetit apelon edhe një herë aktorët politikë dhe institucionet përgjegjëse që të lënë mënjanë çdo alibi dhe përpjekje për të sajuar skema të tilla të ulëta dhe të kryejnë detyrën që u ngarkon  ligji dhe interesat madhore të vendit.