Unë di - Shqiptari i Italisë

Shqipëri

Lexuesit shkruajnë

Unë di që tre Shqiptarë të mirë u vranë përpara kryeministrisë,u vranë sepse morën pjesë në protestën e opozitës për t’i thënë Berishës ik. Faji i tyre në një Shqipëri ku të zotë e të aftë janë ata që bëjnë vila e miliona nëpërmjet plaçkitjes e krimit ishte se protestuan. Faji i protestuesve është se  janë të papunë e i kanë fëmijët pa bukë.

Unë  di se  kush e gjakosi Shqipërinë në 21 janar 2011.

Unë  di kush e gjakosi atë bulevard që nuk u gjakos as në 1990-tën. Unë nuk  di kush shkrepi armën,emrin e vrasësit fizik dhe as kush dha urdhër por di kuzhinën që i prodhon në mënyrë ciklike këto krime.

Unë nuk e dija që do të ndodhte ajo që ndodhi aq më tepër në këtë mënyrë dhe pa asnjë motiv, jashtë kryeministrisë që kryeministri kujton se ia ka lënë e ëma, por ia kisha frikën. Oborrtarët kishin ditë që paralajmëronin opozitën se do mbante përgjegjësi. Për çfarë? Në Angli shkatërruan plotësisht selinë e Partisë Konservatore të Kryeministrit David Cameron por nuk dëgjuam për të vrarë.

Unë di  kush e gjakosi Shqipërinë në 15 mars 2008 në atë që tashmë po  harrohet dhe po bëhet teatër e përqeshje cinike e të fortëve  dhe pse vazhdojmë ta thërrasim tragjedia e Gërdecit. Unë di pse drejtësia nuk vë drejtësi për tragjedinë e Gërdecit, dhe meqë jemi këtu a ua sekuestroi të gjitha armët drejtësia dje  rojeve që shtinë pra policëve e ushtarakëve që ruanin kryeministrinë përballë protestuesve të paarmatosur?

Unë di që Ilir Meta pati thënë se masakra e Gërdecit nuk ka për të pasur drejtësi përderisa Berisha të jetë në  pushtet, paska pasur të drejtë. Unë nuk di si do t’i vejë këtë radhë por kam frikë.

Unë di kush vrau Azem Hajdarin 13 vjet më parë. Unë di kush dha urdhër që të sulmohej me tank e të digjej kryeministria, pa ndonjë video korrupsioni për pushtetarët pa asnjë motiv, duke lënë arkivolin e Azemit në rrugë e pa u hyrë gjemb në këmbë.

Unë di se kush e përmbyti Shkodrën dhe sot mundohet të na ndajë përsëri në jug e veri.

Unë e di pse Ministria e Ekonomisë, Transportit dhe Energjetikës është përsëri në duart e Ilir Metës. Unë di pse Meta shiti votat e atyre që e votuan për të shporrur Berishën.

Unë di pse kjo qeveri ndan me përqindje pushtetin me Ilir Metën njëlloj si bandat mafioze përqindjet e zullumeve në territorin e  nëpërkëmbur.

Unë di se kush ka karburantet, kush ka zhvatur minierat, guroret, fshatrat turistikë apo hidrocentralet. Unë i di pazaret e Metës apo Bregut, të Bodes apo Rulit, Argitës dhe Shkëlzenit, të Mejdiut dhe të Priftit.

Unë  di se kush ka 20 vjet që mbjell strategjinë e tensionit e të luftës pa fund, se kush i vjedh zgjedhjet e nuk na le të zgjedhim.

Unë di pse PD-ja nuk ka asnjë organizëm demokratik dhe  pse meritokracia atje nuk ekziston.

Unë di që Ilir Meta e përdorte bllokun për të nxjerrë shumat milionere me pazare të pista. Di që është i paguar nga ne të papunët, të pastrehët a të vetëpunësuar, rrogëtarë që s’ia dalin dot e di që shumica e shqiptarëve s’e ka votuar.

Unë di që këto ditë pas publikimit të videos Meta ka dalë përditë në televizor pa turp e për të na dhunuar, duke na treguar se nuk i hyn gjemb në këmbë e për të na treguar se kush është i forti në këtë vend.

Unë di siç dinte Migjeni dhe Pier Paolo Pazolini që këta heronj në një vend jonormal janë “dhuratë e etërve bastardë”.

Unë di që një vend normal nuk ka nevojë për heronj.

Unë di që seanca e fundit e parlamentit veremosi ndërgjegjen e kombit,  kur  Kryetarja e Parlamentit zgërdhihej ndërsa i paudhi ulërinte në parlament “lakuriq, lakuriq”, “sillni dhe motrat”.

Unë di pse sot nuk jemi një vend demokratik normal e kush na e ka zënë rrugën plot 20 vjet e s’ka ndërmend të na e lirojë vetë.

Unë i di të gjitha këto...

Të gjitha këto, edhe  JU i dini.

Mitat Shuli