Viti i Ri dhe “presepi” im - Shqiptari i Italisë

Shqipëri

Unë mbaj mend vitet e fundit 90 pasi për fat të mirë linda vonë.

Kukullat kineze ishin në modë se kishin flokë dhe hapnin e mbyllnin sytë :-))

Por mbaj mend se kisha shumë dëshirë të ndërtoja për vit të ri një “presepe” n.q.s. mund ta quaj kështu por që paraqiste në miniature qytetin tim.
Me pak fjalë ishte një vazo e sheshtë me dhe sipër vija gurë të shndritshëm (tipikë të zonës verilindore të Shqipërisë, Bajram Curri. Pastaj një degëze gështenje apo arre tipike dhe këto fruta të kësaj zone. Ca gurë të vegjël lumi për të krijuar lumin e Valbonës,dhe degëza pishe. Një miniature e improvizuar që e mbuluar me pak pambuk sillte në shtëpinë time qytetin në ditë festash. E dashuruar pas natyrës, që në moshë të vogël, e shprehja kështu dëshirën për të qenë gjithmonë e lidhur pas saj. Ajo ishte pema e Vitit të Ri për mua.

Tani kam shumë dëshirë ta përsëris atë pamje të vockël por shumë të dashur për mua, ndoshta dëshira për t’u kthyer fëmijë apo malli për natyrën ku linda... merreni si të doni.

Ta kujtojmë atë kohë në të voglat dhe modeste kujtime pasi na kthejnë serish në vëmendje lidhjen me kohën dhe moshën  që nuk do kthehet më dhe me vendlindjen që e kemi larg. Duke lënë pas vuajtjet për shkak të thjeshtësisë së tepërt me pak mall dhe ironi  le të ndërtojmë në imagjinatë disa imazhe të fëmijërisë sonë që për fat të keq ka mbetur edhe e pa fiksuar në fotografi.

Gëzuar festat!

Nora M.

Lexo edhe: Si festonim Vitin e Ri njëherë e një kohë?