“Jam kuqezi”, De Biasi mes shqiptarëve në Milano - Shqiptari i Italisë

Shoqata
Mbresa nga një takim i veçantë
Nga Astrit Çela

“Shqiptarët kuqezi nga të gjitha trevat tona na kanë emocionuar, gëzuar dhe na kanë bërë shumë krenarë për skuadrën tonë kombëtare të futbolit, për Kombin dhe për flamurin tonë. Kisha kohë që dëshiroja të kishim Misterin Gianni De Biasi mes nesh, këtu në Milano, pas atij kualifikimi historik në Evropianin Francë 2016. Ato ditë të paharrueshme i kemi të gjithë në mendje dhe zemër, sidomos ndeshjen me Francën në Marsejë, por edhe atë triumfuese me Rumaninë në Lion.

Dhe dita erdhi, në kantinën Vigne olcru, në një ambient elegant, u organizua mbrëmja "Jam kuqezi ". Para kantinës valëvitej flamuri ynë kuqezi, aq sa dukej që ne aty ishim në shtëpinë tonë. Ambienti prej 160 vendesh i gjithi i prenotuar, dhe për t’u përmendur është se, përveç De Biasit, aty na nderuan edhe nga Konsullata Shqiptare në Milano, Konsullja e Përgjithshme Anila Pojani, dhe shumë të ftuar të tjerë.

Që në fillimin e këtij eventi mbresëlënës, miqtë dhe simpatizantët e Kombëtares sonë filluan të përshëndeten e përqafohen me misterin, natyrisht siç e respektojmë ne shqiptarët mikun. Por, aty ishte edhe një delegacion nga Ankona me 13 vetë "skuadra Aquila ", mes tyre dhe ish-lojtari i Serie A, Enzo Gambaro.

Nën tingujt e muzikës shqiptare, valëvitjen e flamurit shqiptar dhe, më e bukura, me shishen e verës “Jam kuqezi", të realizuar posaçërisht për këtë ngjarje, falë kontributit special të firmës “Gruppo Koni” me President Masimiliano Brombila, aty Shqipëria u ndie krenare me të ftuarin e saj special.

Ne shqiptarët, në veprimtari të tilla nuk harrojmë edhe Himnin tonë Kombëtar, i cili nga zëri melodioz i Elvana Gjatës na solli drithërimat e zakonshme, e na bëri të ndihemi edhe më krenarë në këtë mbrëmje.

Pas falënderimit të De Biasit, përshëndetjes së konsulles Pojani dhe fjalimit e presidentit të “Albania Futuro”, mbrëmja u shoqërua nga një kuartet folkloristik "Berati" me klarinetist Artur Nallbani, si dhe me fotografitë nga zoti Fabrizio Smisci. Por, për ne nuk mund të mos përmendej aty edhe kontributi i çmuar i ndërmarrjes “Cogesa srl” me zotin Sajmir Gjini, ndërmarrja e mikut Erzen Rexha, “Isolsistemi” me zotin Eduart Laçaj, njëherësh edhe përshëndetje e prekshme që iu bë mikut tonë që nuk jeton Jani Çelano.

Nga kjo veprimtari e bukur “alla-shqiptarçe”, nuk mund të mos kujtoj thjeshtësinë, edukatën, fisnikërinë dhe mënyrën se si u soll Misteri me të gjithë të ftuarit e komunitetit shqiptar. Foto, autografe, përqafime dhe në fund, me avujt e rakisë së Skraparit, për ta mbyllur me foton e shqiponjës, të “qëndisur” me duart e të gjithëve.

Ishte një mbrëmje e mrekullueshme kjo në zemrën e Lombardisë, që Shoqata “Albania Futuro” e dëshironte shumë, duke uruar si mbyllje, që të jetë një ogur i mirë për ndeshjen që do të zhvillohet më 24 mars 2017 në Palermo, mes Italisë e Shqipërisë.