“Ju tregoj për vendin tim”, shkolla shqipe Scanderbeg e Parmës feston 1 Qershorin - Shqiptari i Italisë

Shoqata
Shoqatat informojnë

Të dielën, më 29 maj, “Scanderbeg Parma” për të dhjetin vit radhazi festoi 1 Qershorin, Festën Ndërkombëtare e Fëmijëve. Këtë vit nxënësit tanë u paraqitën me një shfaqe kushtuar origjinës, lidhjeve dhe rrënjëve tona të quajtur “Ju tregoj për vendin tim”. Me hartën e trojeve shqiptare me zemra të kuqe të pikturuara nga nxënësja jonë parashkollore Deana, me plisat e bardhë në kokë simboli ynë kombëtar, nisi shfaqja. Duke uruar "Gëzuar 1 Qershorin, Festën Ndërkombëtare të Fëmijëve", mirëseardhjen të pranishmëve ja dha nxënësi ynë Lorenxo.

Njohuritë e marra gjatë gjithë vitit në abetaren, gjuhën, leximin, historinë, gjeografinë, muzikën, kostumet dhe kulturën shqiptare, nxënësit i pasqyruan në tregimet e tyre rreth vendeve ku kanë lindur, ku kanë rrënjët prindërit, të parët apo edhe ku historia e Shqipërisë ka lënë gjurmë në shekuj. Me ndihmën e prindërve, mësuesve, të afërmve dhe Internetit, me tregimet e tyre kujtuan legjendat, copëza historie, tradita shqiptare nga të gjitha trevat: nga Laçi, Kruja, Lezha, Shkodra, Tropoja, Kavaja, Bulqiza, Dibra, Saranda, Durrësi, Elbasani, Peqini, Tirana, Struga, Kosova, Çamëria, Korça, Skrapari, Fieri, Mirdita, Berati, Lushnja, Shijaku, Vlora etj.

Madje nxënësit treguan edhe për lidhjet e hershme të Shqipërisë me Venecian në kohën e Skënderbeut duke marrë shkas nga vizita e fundit që kolektivi i shkollës shqipe realizoi në këtë qytet në muajin prill të këtij viti. Kishte edhe nxënës që treguan qytetin ku banojmë, Parmën si qytet mikpritës ku këto nxënës janë krenarë që janë me dy nënshtetësi, dy kultura. Pjesa dërrmuese e nxënësve tanë kanë lindur pikërisht në këtë qytet, disa me prindër shqiptar disa të tjerë me origjinë italo-shqiptar dhe disa me origjinë tërësisht italiane të lidhur me dashuri të përjetshme me Shqipërinë.

Gjatë shfaqjes u këndua himni kombëtar shqiptar dhe këngë të tjera për mësuesin, nënën dhe abetaren të përgatitura gjatë vitit. Më pas 28 nxënësit e këtij viti shkollor nga të cilët 3 parashkollor, 14 nga cikli i ulët dhe 11 nga cikli i lartë, tërhoqën dëftesat e tyre simbolike që iu dorëzuan nga mësuesit.

Në fund një banket i përgatitur me shumë kujdes nga prindërit dhe të afërmit e nxënëseve tanë që i përgëzojmë për bashkëpunimin e tyre gjatë gjithë vitit. U falënderuan edhe ish-mësueset e shkollës shqipe për kontributin e madh që kanë dhënë ndër vite.

Shoqata Scanderbeg Parma

Për më shumë foto shfletoni këtë album fotografik