Letërsia dhe historia e Shqipërisë në Sallonin e Librit të Torinos - Shqiptari i Italisë

Shoqata
Nga autorët bashkëkohorë shqiptarë në gjuhën italiane, te udhërrëfyesit turistikë mbi Shqipërinë, nga “Ilirët” e arkeologut Neritan Ceka te “Rrno për me tregue” e At Zef Pllumit. Organizuesi Benko Gjata: “Prania jonë në Sallonin e Librit për të njohur publikun e gjerë të panairit jo vetëm me kulturën dhe letërsinë shqiptare, por edhe me bukuritë e një vendi ku të mund të kalosh pushime të paharrueshme”. Mes vizitorëve të shumtë edhe kryeministri Rama.

Salloni Ndërkombëtar i Librit, që u zhvillua në Torino nga data 8 deri në 12 maj shënoi këtë vit, për herën e dytë rradhazi, edhe praninë e një stende të posaçme kushtuar letërsisë së autorëve shqiptarë.  Pjesëmarrja e Shqipërisë, e mundësuar falë nismës së Qendrës së Kulturës Shqiptare, një organizatë kulturore me veprimtari në Torino dhe Milano, u prit me mjaft interes nga publiku i panairit, që rregjistroi këtë vit një numër rekord prej mbi 339 mijë vizitorësh. 

Protagonistët kryesorë të hapësirës ekspozuese qenë shkrimtarët bashkëkohorë shqiptarë, si Ismail Kadaré, Anilda Ibrahimi, Ardian Kristian Kyçyku, Elvira Dones, Fatos Kongoli, Gëzim Hajdari, Ornela Vorpsi, Visar Zhiti, Ylljet Alicka, etj., që kanë shkruar apo janë përkthyer në italisht nga shtëpi botuese si Einaudi, Feltrinelli, Longanesi, Tea, Besa, Controluce, Zandonai apo Fandango. Shumë prej tyre janë tashmë emra të njohur për lexuesit italianë, që shpesh mbërrinin në stendën shqiptare jo vetëm me kërshërinë për të njohur më mirë letërsinë e vendit tonë, por edhe me kërkesa specifike për titujt e autorëve të tyre të preferuar. Kështu, ndërkohë që Kadareja mbetet autori më i njohur e më i kërkuar nga publiku, vizitorët e panairit shfaqën interesim të madh e në rritje edhe për veprat e autoreve shqiptare që shkruajnë dhe botojnë drejtëpërdrejtë në gjuhën italjane, ndër të cilat autorja best-seller e Einaudit, Anilda Ibrahimi, apo Ornela Vorpsi dhe Elvira Dones, fituese të disa çmimeve të rëndësishme letrare.

Në këtë edicion të panairit, që pati si të ftuar nderi Vatikanin, në stendën shqiptare zuri një vend të veçantë paraqitja e veprës “Rrno për me tregue” i at Zef Pllumit, që pak muaj më parë është sjellë në gjuhën italiane nga Keda Kaceli me titullin “Il sangue di Abele - Vivi per testimoniare”. Gjithashtu, gjatë ditëve të panairit u prezantua për herë të parë  edhe botimi i ri në gjuhën angleze i vëllimit “Ilirët”, i arkeologut, sot ambasador i Shqipërisë në Romë, Neritan Ceka.

Stendës shqiptare nuk i mungonin natyrisht as titujt e zgjedhur në gjuhën shqipe, veçanërisht të kërkuar gjatë ditëve të panairit nga familjet dhe të rinjtë shqiptarë që kanë lindur apo janë rritur në Itali dhe dëshirojnë të mbajnë gjallë lidhjet me gjuhën e shkruar të vendit të tyre të origjinës. “Vizitoret e para të stendës sonë, ditën e celjes së panairit ishin pikërisht disa nxënëse shqiptare në vizitë me klasën, të cilat u ndalën me mjaft interes në hapësirën shqiptare dhe u larguan prej saj vetëm pasi gjetën dhe morën me vete librat e tyre të preferuar,” thotë Benko Gjata, themelues dhe president i Qendrës së Kulturës Shqiptare. Për vizitorët shqipfolës, stenda shqiptare ofronte edhe një përzgjedhje librash të fondit prej 150 titujsh në gjuhën shqipe të bibliotekave të qytetit, që mund të tërhiqen falas në secilën prej 14 pikave të sistemit bibliotekar publik të Torinos.

Hapësirës shqiptare nuk i munguan edhe këtë vit vizitat e personaliteteve të njohura, ndër të cilat spikati ajo e kryeministrit shqiptar Edi Rama.

Rama, i cili udhëtoi posacërisht drejt Torinos për të vizituar panairin, u ndal gjatë në stendën shqiptare dhe e vlerësoi panairin dhe praninë e Shqipërisë në të, si një mundësi të rëndësishme për të thelluar njohjen dhe zgjeruar kontaktet mes dy kulturave. “Ёshtë një kënaqësi të dëgjosh fjalët e presidenti të Panairit dhe të të tjerëve, për këtë nevojë për të vazhduar për të punuar sëbashku dhe për të zgjeruar bashkëpunim mes nesh në mënyrë që letërsia dhe kultura shqiptare të njihet edhe më shumë e të jetë edhe më shumë e arritshme në Itali dhe anasjelltas” – u shpreh Kryeministri, gjatë ceremonisë që u zhvillua pranë stendës shqiptare.

Për organizatorët, thuajse të gjithë të rinj shqiptarë të diplomuar vitet e fundit në universitetet italjane, vizita e kryeministrit Rama ishte një ngjarje e shënuar dhe mbresëlënëse. Ajo ishte gjithashtu një shenjë e vëmendjes dhe vlerësimit të institucioneve të shtetit shqiptar ndaj nismave të diasporës që synojnë paraqitjen dhe promovimin e kulturës sonë jashtë kufijve të vendit, si edhe pikënisja e një bashkëpunimi të frytshëm, që do të sjellë nisma dhe rezultate të rëndësishme edhe në të ardhmen.

 Krahas kryeministrit Rama, stenda shqiptare u vizitua edhe nga personalitete të kulturës dhe institucioneve italiane, ndër të cilët Kryetari i Bashkisë së Torinos, politikani i njohur, Piero Fassino, presidenti i Fondacionit për Librin dhe Kulturën Rolando Picchioni, gazetari dhe historiani Paolo Mieli, etj.

“Mbështetur në përvojën pozitive të vitit të shkuar e duke mësuar nga ndonjë problem që patëm, këtë vit pjesëmarrjen shqiptare e organizuam duke përqendruar punën tonë në disa aspekte” – thotë Benko Gjata për Shqiptariiitalise.com. Ai shpjegon për shembull se këtë herë nuk u organizuan takime me autorë, pasi nga përvoja e vitit të shkuar u pa se numri shumë i lartë i aktiviteteve të tilla gjatë ditëve të panairit e bën më të vështirë pjesëmarrja në to të publikut të interesuar.

“Duke e ditur që integrimi e kurioziteti për letërsinë nis në bankat e shkollës, u lidhëm me disa institute shkollore dhe patëm gjatë ditëve të panairit vizita të organizuara të stendës nga grupe nxënësish, të cilëve stafi i kualifikuar i qendrës u foli mbi letërsinë, por edhe kulturën e traditat shqiptare”

Një rëndësi e veçantë iu kushtua këtë vit promovimit të Shqipërisë si destinacion turistik. “Salloni i Librit numëron cdo vit mbi 300 mijë vizitorë, një publik i gjerë, të cilit veç letërsisë mund t’i shpalosen edhe mundësitë turistike që ofron vendi ynë. Për ta shfrytëzuar këtë karakteristikë të panairit bashkëpunuam me Agjencinë Kombëtare të Turizmit duke ja kushtuar një pjesë të stendës pamjeve mbresëlënëse nga Shqipëria, të paraqitura në katër panele të mëdha” vazhdon Gjata.

Në këtë kontekst, në Panairin e Torinos u paraqit për herë të parë edhe guida e re turistike Tirana&Albania, me autorë gazetarin Benko Gjata dhe antropologun Francesco Vietti. Guida vjen në një botim kompakt, lehtësisht të lexueshëm edhe në udhëtim, që i paraqitet publikut nga botuesi Morellini Editore me një çmim low-cost mjaft konkurrues. Në 160 faqet e saj lexuesit gjejnë të dhëna të detajuara mbi historinë, gjeografinë, klimën, trashëgiminë kulturore dhe ofertën e pasur turistike të Shqipërisë, si edhe shumë të dhëna praktike mbi hotelet, restorantet dhe mjetet e transportit, të gjitha të ilustruara nga dhjetëra fotografi të realizuara nga vetë autorët. Guida iu paraqit publikut gjatë një ceremonie te shkurtër ku mori pjesë edhe kryeministri Rama, i cili shprehu vlerësimin e tij për këtë botim të ri që kontribuon në nxitjen e turizmit drejt vendit tonë.

Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)