Parma: Gratë migrante dhe integrimi - Shqiptari i Italisë

Shoqata
Mbahet në Parma konferenca me titull “Donne migranti e integrazione. Il caso albanese” që merr shkas nga libri “Donne D’Albania. Tra migrazione, tradizione e modernità”. Organizohet nga Shoqata Scanderbeg e Parmës dhe revista “Confronti”, në bashkëpunim me Universitetin e Parmës, me patronazhin e Komunës së Parmës

Romë, 12 mars 2018 – Në Parma, në datën 16 mars 2018, ora 17.00, në Aula dei Filosofi, via Università 12, do të zhvillohet konferenca me titull “Donne migranti e integrazione. Il caso albanese” (Gratë migrante dhe integrimi. Rasti shqiptar), e organizuar nga Shoqata Scanderbeg e Parmës dhe revista “Confronti”, në bashkëpunim me Universitetin e Parmës e me patronazhin e Komunës së Parmës.

Nisma merr shkas edhe nga libri “Donne D’Albania. Tra migrazione, tradizione e modernità”, (Gra të Shqipërisë. Midis migrimit, traditës dhe modernitetit), përgatitur për botim nga Rando Devole dhe drejtori i revistës Confronti (www.confronti.net), Claudio Paravati. Është libri i parë që flet për gratë e vajzat shqiptare në Itali e për rolin e tyre në vendin ku kanë mërguar e në atdhe. Një botim i vyer për vetë gratë dhe për të gjithë ata që merren me çështje kulturore, sociale dhe migratore. Libri synon fillimin i një procesi njohjeje e reflektimi për situatën e grave dhe vajzave shqiptare në Shqipëri e Itali.

Në konferencën e Parmës, përveç autorëve të librit, do të flasin: Nicoletta Paci, Asessore për shoqatat e për pjesëmarrjen e Komunës së Parmës; Anila Pojani, Konsulle e përgjithshme e Shqipërisë në Milano; Vincenza Pellegrino, Pedagoge e Sociologjisë së globalizimit të Universitetit të Parmës; Adela Kolea, gazetare; Marjeta Ceka, studente në jurisprudencë. Punimet do të moderohen nga Vojsava Tahiraj, ndërmjetësuese kulturore. Do të jetë rast i shkëlqyer për të folur gjithashtu, për rolin e grave dhe dukurinë migratore në përgjithësi.