Shoqata Shqipëria dhe e Ardhmja: “Historik, takimi me kryeministrin Rama” - Shqiptari i Italisë

Shoqata
Gjatë vizitës së tij në Milano, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama është takuar me përfaqësues të shoqatës Shqipëria dhe e Ardhmja, për të cilët takimi, i pari me një kryeministër të vendit në 23 vjet emigrim, konsiderohet “historik”. Përcjellim me kënaqësi mbresat e tyre nga ky takim

Shpesh herë pyesnim veten: përse vëmendja e institucioneve italiane ishte më e lartë se e atyre shqiptare? Përse asnjë ministër (dhe aq më pak Kryeministër) shqiptar nuk ka trokitur asnjëherë në derën tonë thjesht për të na takuar, pyetur cilat janë nevojat tona. Ndoshta komuniteti shqiptar i rajonit më të pasur në Itali nuk është i rëndësishëm për një Shqipëri ku remitancat e emigrantëve janë thelbësore për të mbijetuar?

Shpesh herë i bënim këto pyetje vetes, por asnjëherë nuk gjenim përgjigje, dhe ndjenim një shtrëngim në shpirt.

Por diçka paska ndryshuar. Gjatë një mbrëmjeje të ftohtë janari u vumë në dijeni që Kryeministri Rama do vizitonte së shpejti Milanon dhe ja që, pa ndonjë pritshmëri të lartë, kontaktuam Sekretarin e Përgjithshëm të Kabinetit, Engjëll Agaci, Ministrin e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Ilirjan Çelibashi, dhe deputetin e Qarkut Vlorë, Fatmir Toçi. Kaluan vetëm 24 orë nga komunikimet e mësipërme kur telefoni i presidentit të shoqatës, Astrit Çela, filloi të tringëllonte. Për habi si Ministri Çelibashi, si deputeti Toçi, po ashtu dhe deputeti Gaci konfirmuan gatishmërinë e delegacionit shqiptar për ftesën e shoqatës sonë. Për më tepër na thanë se do ishte e udhës të implementonim takimin nga një “kafe pune” në një “drekë njohjeje”.

Kurrë më parë, në 23 vite histori emigracioni shqiptar në Milano, një Kryeministër nuk kishtë patur kënaqësinë (ndoshta për paraardhësit kishte qënë thjesht mundim) të shtrëngonte duart e bashkëkombasve. Por ja që më 1 shkurt 2014, në restorantin e menaxhuar nga anëtari i shoqatës Renato Skenderi, Segrino, i preferuari i piktorit të madh, mjeshtrit Ibrahim Kodra), “çudia” u bë realitet.

Kryeministri Rama, dy konsujt Çobanaj dhe Shkëmbi, Ministri i Ekonomisë Ahmetaj, deputetët Gaci, Balla, Toçi, kryebashkiaku i Durrësit Dako dhe disa personalitete të tjera të politikës dhe të medias, u ulën dhe drekuan me anëtarët e shoqatës “Shqipëria dhe e Ardhmja”. Përfaqësuesit më të lartë të shtetit amë, na nderuan, më në fund, me prezencën e tyre, na shtrënguan duart, na treguan thjesht se nuk jemi vetëm, me një fjalë na dhanë zemër.

Sikur surprizat të mos mjaftonin, kryetari i shoqatës, Çela, gjatë takimit, priti edhe një telefonatë urimi nga Kryetari i Parlamentit Ilir Meta, si për të vulosur përfundimisht ndjesinë se shumë prioritete, nëpër institucionet shqiptare, kanë  ndryshuar.

Për t’i uruar mirëseardhjen delegacionit shqiptar, ishin të pranishëm, përveç presidentit Çela, edhe Admir Ndoci (manager i shoqërisë shumëkombëshe Balfour), Eduart Ndoci, sekretar i shoqatës, sipërmarrës (Gruppo Ndocaj Costruzioni), Sajmir Gjini, sipërmarrës, (Cogesa S.r.l.), Jani Celani (sipërmarrës, Alba Go-Go S.r.l.) dhe shumë anëtarë të tjerë.

Në një atmosferë informale dhe tepër shoqërore, kuptuam që ky ishte vetëm fillimi i një bashkëpunimi të frytshëm, për të cilin shoqata jonë do të shërbejë si një urë ideale midis kombit që na ka pritur dhe ofruar një të ardhme më të mirë, dhe kombit ku kemi lindur.

Diçka me të vërtetë paska ndryshuar. Më në fund!

Shqipëria dhe e Ardhmja, shkurt 2014