“Shqipëria Ime” feston Pavarësinë në Varese - Shqiptari i Italisë

Shoqata
Reportazh nga festa e Pavarësisë në Varese e organizuar nga “Shqipëria ime” që me këtë rast u prezantua përpara bashkatdhetarëve

Festat e Nëntorit ishin një rast i shkëlqyer për prezantimin e shoqatës  “Shqipëria Ime” të komunitetit shqiptar të Vareses. Krenarë dhe me solemnitet të plotë si bij të tokës së tyre të dashur, Shqipërisë bashkëkohore, anëtare e Natos, po aq si investues modernë për ndërtimin e vetvetes dhe të Evropës se Re, janë mbledhur rreth 500 emigrantë nga të gjitha trojet shqipfolëse, së bashku me autoritetet lokale italiane, për festimin e 28 Nëntorit 2013, Ditës së Pavarësisë.

 

Në ballin e sallës kanë zënë vendet e nderit organizatorët e këtyre festimeve, presidenti Bashkim Sejdiu dhe zëvëndës presidenti Rezart Ujkaj së bashku me të ftuarit, autoritetet lokale italiane, përfaqësues të komunës Varese Giuseppe Montabetti.

Përmasat e  gëzimit të festës i  kanë rritur edhe pjesëmarrja e disa shoqatave mike si “Dora e Pajtimit” , “ Ura e Bashkimit” dhe shoqata “Nord & Sud”. Entuziazmin e shton edhe prania e këngëtareve shqiptare, aq të mirënjohura në mbare trojet tona, Vida Kunora dhe Rovena Stefa.

Luela Hasanaj, prezantuesja e programit i jep fjalën Zëvendëspresidentit të shoqatës “Shqipëria ime” Rezart Ujkaj.

“Shoqata jonë erdhi në jetë si zëri i vullnetit tonë të përbashkët për t’u përfaqësuar, si kurrë ndonjëherë më parë, më të plotë, më të pranueshëm, më civilë dhe të integruar si zëri i komunitetit shqiptar në Italinë moderne, në Evropën e Re – theksoi mes të tjerash Ujkaj – Jo pa qëllim zgjodhëm si muajin nëntor, të festave tona të Pavarësisë dhe të Çlirimit për promovimin edhe të shoqatës së posalindur”.

Pas fjalës së tij, përfaqësuesi i komunes së Vareses, zoti Giuzeppe Montalbetti, si përshëndeti pjesëmarrësit dhe falënderoi për ftesën e bërë organizatorët e këtij

evenimenti, në fjalën e tij theksoi: “Urime për nismën tuaj. Përzemërsisht ju uroj suksese, dhe një bashkëpunim sa më të frytshëm mes dy komuniteteve tona si pjesë aktive në ndërtimin po aq sa të Italisë së re, po ashtu edhe të Shqipërisë mike, partnere serioze  dhe fqinje e vendit tim. Duke vlerësuar rëndësinë e këtij evenimenti për integrimin e mëtejshëm po aq sa mes vetë shqiptarëve dhe me komunitetin pritës, italian,  ai theksoi faktin se një shoqatë e tillë ndihmon fuqishëm në zhvillimin e jetës sonë sa politike, sa ekonomike dhe kulturore në dobi të dy vendeve tona mike.

Fjalën mbyllëse e mbajti Bashkim Sejdiu, presidenti i shoqatës “Shqipëria Ime”. Në fjalë e tij, Sejdiu, insistoi në thelb në disa aspekte nga më domethënësit lidhur me raportin emigrantë-vendas. “Të organizuar në këtë shoqatë, duam t’u tregojmë të gjithëve që sot shqiptarët janë, jo vetëm familjarë shembullorë, qytetarë të  denjë, por edhe investues e kontribues në ndërtimin e jetës së tyre në Atdheun mëmë, por po aq edhe në Italinë mike”.

“Ky status i ri me jep të drejtën të rritim pretendimet tona legjitime që institucionet lokale në Itali të ofrojnë hapësira për përfaqësuesit tanë në këshillat komunale dhe,  përgjithësisht, në institucionet e tyre, si admnistratorë të zotë dhe menaxhues seriozë vlerash për ndërtimin e jetës së tyre, po aq edhe të Italisë së ditëve tona. Ne jemi gati tani fjalën e keni ju!” përfundoi fjalën e tij Sejdiu.

Pastaj të pranishmit vazhduan me këngë dhe valle sa bashkëkohore, sa tradicionale. Ra në sy përshëndetja, me këtë rast, me një përformancë  nga vullnetaret e shoqatës “Dora e Pajtimit”, si dhe përshëndetja nga kërcimtarët e shoqatës “Ura e Bashkimit”. Nën tingujt muzikorë, të pranishmit shijuan interpretimet e këngëtareve Vida Kunora dhe Rovena Stefa. Në fund për të pranishmit u pre torta gjigande kushtuar  kësaj festa të madhe.

Shoqata “Shqipëria ime”