Italianët që nuk kalojnë testin e hyrjes në mjekësi? Shqipëria i pret krahëhapur - Shqiptari i Italisë

Studentët
Me kusht që të jenë të gatshëm të ndërrojnë rrënjësisht stil jetese e padyshim ta kenë xhepin plot

Romë, 23 shtator 2013 - Nga sot të rinjtë që kanë bërë testin për të hyrë në fakultetin me numër të mbyllur studentësh të mjekësisë mësojnë nëse e kanë marrë apo jo e për rrjedhojë nëse mund të vazhdojnë ose jo studimet në Itali.

Për studentët italianë që nuk e marrin testin duket se një zgjidhje mund ta gjejnë në Shqipëri, veçanërisht në Universitetin Katolik Zoja e Këshillit të Mirë të Tiranës, që falë bashkëpunimit me universitete italiane si Tor Vergata i Romës (në degën e Mjekësisë), Universitetin e Milanos (për Farmacinë) etj. ofron leksione në gjuhën italiane dhe lëshon diploma që njihen edhe në Itali.

E pikërisht për këtë mundësi flet edhe studenti.it, ndër portalet më të mëdha dedikuar studentëve. Universiteti katolik ZKM shihet si një “zgjedhje e dytë tunduese, me kusht që të jesh i gatshëm të ndërrosh rrënjësisht stil jetese e padyshim ta kesh xhepin plot”. Për regjistrimin në universitetin katolik ZKM ka kohë deri ditët e para të tetorit (pra kush e ka provuar pa sukses në Itali, është në kohë për të bërë regjistrimin në Tiranë) ndërsa testet e hyrjes mbahen më 10 dhe 16 tetor. Për studentët nga BE – lexohet në rregulloren e Universitetit – pranimi në universitet bëhet, për dy të tretat, në bazë të “një testi në gjuhën italiane me anë të të cilit vlerësohen njohuritë në lëndët shkencore të kandidatëve” dhe për një të tretën me “bonusin e maturës”, që në Itali u shfuqizua pa u vënë asnjëherë në zbatim.

Gjithçka duket e thjeshtë, e munshme dhe për “bijtë e mamave”. Shqipëria është vërtet dy hapa nga Italia, e lidhur mirë qoftë me avion qoftë me anije. Natyrisht shkon në një vend tjetër, me një gjuhë tjetër e duhet ndërruar rrënjësisht mënyra e jetesës. Por nëse jeta në Tiranë kushton pak, problemi i mirëfilltë është taksa vjetore që kërkohet në Universitetin Katolik Zoja e Këshillit të Mirë: 7.000 euro në vit, siç tregon Betti, një vajzë nga Basilicata për Studenti.it që për shkak të çmimit të lartë hoqi dorë nga ai që dukej “universitetit ideal”.

E pashmangshme të mos mendosh për diplomën e Renzo Bossit. Por ajo ishte tjetër histori.

K.B. / Shqiptari i Italisë

 

Advertisement