Siena. “Nice to meet you Albania” - Shqiptari i Italisë

Studentët

Takim më 4 dhjetor në Universitetin e Sienës. Tema “Shqipëria dhe aderimi në BE. Studentët shqiptarë në Siena dhe e ardhmja e tyre evropiane”

Takimet e përvitshme “Nice to meet you” të organizuara në universitetin e Sienës me komunitetet studentore të huaja këtë radhë do të mbyllen më 4 dhjetor me një takim dedikuar Shqipërisë.

Në debat, - tema e të cilit këtë vit është “Shqipëria dhe aderimi në Bashkimin Evropian. Studentët shqiptarë në Siena dhe e ardhmja e tyre evropiane” – do të marrë pjesë edhe zëvendës ministri shqiptar i Integrimit Gentian Elezi që do të paraqesë hapat e deritanishëm dhe të ardhshëm të procesit të integrimit të Shqipërisë në BE.

Do të marrin gjithashtu fjalën Gerarta Zheji Ballo, atashe kulturor i ambasadës shqiptare në Romë, Klajdi Gjondedaj, kërkimtar shkencor në Politika evropiane pranë universitetit të Tiranës, Arlinda Lusho nga shoqata RAT (Rete Albanesi in Toscana) dhe Cinzia Angeli, kryetare e shoqatës Alumni e universitetit të Sienës. Në diskutim do të marrin fjalën edhe studentë e të diplomuar në universitetin e Sienës.

Takimi do të përshëndetet nga zëvendësrektori i universitetit Francesco Frati, Anna Ferretti nga komuna e Sienës, Lucia Fani nga DSU Toscana. Diskutimet do të happen nga docenti i Historisë së integrimit Evropian, Daniele Pasquinucci.

Veprimtaria do të mbahet të premten më 4 dhjetor në orën 15 në pallatin e Rektoratit të Universitetit.