Studentët e ardhshëm shqiptarë në Itali. Ambasada italiane informon - Shqiptari i Italisë

Studentët
Ka nisur në Ambasadën italianë në Tiranë faza e parë e pararegjistrimit të të rinjve shqiptarë që duan të vijnë për studimet e larta në Itali

Ambasada e Italisë në Tiranë njofton studentët e interesuar se ka nisur nisur procedurat për regjistrimet pranë Universiteteve italiane për vitin akademik 2013-2014.

Studentët që dëshirojnë të regjistrohen pranë Universiteteve italiane në vitin akademik 2013/2014 duhet:

1) në fazën e parë, të dorëzojnë dokumentacionin e nevojshëm për proçedurën e para-regjistrimit (dokumentet do të dorëzohen personalisht nga të interesuarit pranë Ambasadës Italiane, duke caktuar takim nga data 21 mars 2013 deri në datën 21 qershor 2013) për të sjellë dokumentacionin duhet fiksuar një takim me anë të programit “Prenoto online” të faqes internet të kësaj Ambasade;

2) më pas, nga data 1 qershor deri në datën 31 korrik 2013, do të dërgohet përmes korrierit Albanian Courier, Dëftesa e Pjekurisë (ose Diploma universitare në rastin e regjistrimit në +2) dhe dokumentacioni i nevojshëm për vizën për studim/universitet.

Në njoftimin e publikuar në faqen zyrtare të ambasadës italiane bëhen të ditura në detaje të gjitha dokumentet që duhet të plotësojnë studentët e interesuar për të ndjekur studimet në Itali. Ndërsa në faqet dedikuar të huajve në sitin e Ministrisë itaiane të Arsimit dhe të Universitetit gjenden të gjitha direktivat dhe kurset e larta në dispozicion. 

Sqarohet gjithashtu edhe fakti se këto informacione mbi mënyrën e marrjes së vizës për studime janë të vlefshme vetëm për juridiksionin e Zyrës Konsullore të Ambasadës Italiane në Tiranë, pra për banorët e qyteteve të mëposhtme, Tiranë, Durrës, Kavajë, Peqin, Elbasan, Gramsh, Librazhd, Bulqizë, Mat, Krujë, Kurbin, Pogradec, Korçë, Devoll dhe Kolonjë. 

Ndërsa studentët që nuk janë me vendbanim në këto rrethe duhet t’i drejtohen Konsullatës së përgjithshme Italiane në Vlorë ose Konsullatës Italiane në Shkodër.

Udhëzimet e detajuara të ambasadës

Red. Shqiptari i Italisë

Advertisement