Studentët e ardhshëm shqiptarë në Itali. Nisin pararegjistrimet - Shqiptari i Italisë

Studentët
Nga 4 qershori në Ambasadën italiane në Tiranë nisin praktikat e para-regjistrimit për në universitetet italiane

Ambasada italiane në Tiranë publikon hapat që duhet të ndjekin studentët shqiptar për të studiuar në gadishullin Apenin për vitin akademik 2012-2013.

Përsa i përket dokumenteve dhe rrugës që duhet të ndjekë një i ri shqiptar për të siguruar një vizë studimi për në Itali, Ambasada italiane njofton se studentët që dëshirojnë të fillojnë procedurën e para-regjistrimit, duhet të paraqesin personalisht dokumentet e nevojshme nga data 4 deri në datën 20 qershor 2012, pasi të kenë marrë një takim pranë Ambasadës përmes shërbimit Prenoto Online, të faqes në internet të ambasadës. Takimi mund të merret edhe përmes call center, në numrat 0900 404 3000 (nga telefonat fiks) dhe 0900 404 4000 (nga telefonat celularë).

Më pas, nga 1 deri më 31 korrik, Ambasadës i duhen nisur me Albanian Courier diploma e maturës dhe dokumentacioni i nevojshëm për lëshimin e vizës për studime. Me të vlerësuar të gjithë dokumentacionin, Ambasada do t’i lëshojë studentit vizën e hyrjes. Gjithnjë me anë të Albanian Courier do t’i kthejë të interesuarit pasaportën me vizë dhe dokumentacionin e legalizuar.

Në njoftimin për shtyp të publikuar në faqen zyrtare të ambasadës italiane bëhen të ditura në detaje të gjitha dokumentet që duhet të plotësojnë studentët e interesuar për të ndjekur studimet në Itali. Ndërsa në faqet dedikuar të huajve në sitin e Ministrisë itaiane të Arsimit dhe të Universitetit gjenden të gjitha direktivat dhe kurset e larta në dispozicion. 

Sipas dispozitave të reja, ndryshe nga vitet e kaluara, Universitetet nuk do t’u konfirmojnë përfaqësive diplomatike pranimin e studentëve dhe vizat për studime universitare do të lëshohen pa këtë konfirmim (për t’u informuar mbi pranimin, studentët duhet t’i drejtohen drejtpërdrejt universiteteve).

Në njoftim sqarohet gjithashtu edhe fakti se këto informacione mbi mënyrën e marrjes së vizës për studime janë të vlefshme vetëm për juridiksionin e Zyrës Konsullore të Ambasadës Italiane në Tiranë, pra për banorët e qyteteve të mëposhtme, Tiranë, Durrës, Kavajë, Peqin, Elbasan, Gramsh, Librazhd, Bulqizë, Mat, Krujë, Kurbin, Pogradec, Korçë, Devoll dhe Kolonjë. 

Ndërsa studentët që nuk janë me vendbanim në këto rrethe duhet t’i drejtohen Konsullatës së përgjithshme Italiane në Vlorë ose Konsullatës Italiane në Shkodër.

Shkarko udhezuesin e Ambasades