Studentët e huaj, tallja me lejet e qëndrimit më të gjata - Shqiptari i Italisë

Studentët

Ligji mbetet i pazbatuar. E kështu çdo vit duhet të vihen në radhë në universitet, në postë e në kuesturë. Peticioni: “Të mos shkatërohen ëndrrat e studentëve duke u mohuar të drejtat e tyre”

Romë, 11 janar 2017 – Ekziston një angazhim që Italia nuk po respekton. Një ligj, të cilin prej tre vjetësh, qeveritë kanë harruar të zbatojnë.

Gusht 2013. Enrico Letta është kryeministër, Cécile Kyenge ministre e integracionit. Qeveria miraton një ligj mbi arsimin që përmban një risi të rëndësishme për studentët e huaj. Thotë që kohëzgjatja e lejeqëndrimit të tyre nuk mund të jetë “më e shkurtër se periudha e ndjekjes, edhe shumëvjeçare, e një kursi studimi të institucioneve shkollore, universitare apo të formimit të lartë artistik, muzikor, koreografik apo e një kursi për formim të certifikuar”.

Duhet të ishte shpëtim, fundi i përtëritjeve të përvitshme. Ndjek një kurs universitar trevjeçar? Do të kesh një leje qëndrimi trevjeçare, edhe se mbetet në fuqi “verifikimi i përvitshëm i ecurisë së suksesshme në studime”, pra duhet të marrësh një numër të caktuar provimesh nëse dëshiron të ruash të drejtën e dokumentit të qëndrimit. Një tjetër e re: “Leja e qëndrimit mund të zgjatet edhe për 12 muaj të tjerë pas përfundimit të studimeve”, ndoshta për të kërkuar punë me njëfarë qetësie.

“Është normë shumë e rëndësishme, - komentonte asokohe kryeministri Enrico Letta - e miratuar apostafat për të qenë më  tërheqës për studentët që nga jashtë vijnë të studiojnë në Itali, një nga problemet më të mëdha të sistemit tonë arsimor”.

Entuziaste edhe Kyenge: ““Ky është një hap i madh për Italinë. Na vë përkrah shteteve të tjera europiane. Duam që universitetet tona të jenë të konkurrueshme, por edhe t’u vijmë në ndihmë shumë studentëve që për vështirësi burokratike nuk arrinin të vazhdonin studimet”.

Gjynah që, në të vërtetë, nuk ndryshoi asgjë. Edhe sot e kësaj dite, një student universitar i huaj, që vjen nga jashtë apo është rritur në Itali, bir imigrantësh, është akoma i detyruar të përtërijë lejen e vet të qëndrimit çdo vit.

Kjo do të thotë që çdo vit duhet të marrë certifikatën e provimeve në Universitet, ta paraqesë bashkë me kërkesën për përtëritjen e lejes në Postë, të shkojë të japë shenjat e gishtërinjve dhe fotot në Kuesturë, ku duhet të kthehet sërish për të tërhequr dokumentin kur të jetë gati, madje ndonjëherë gati duke skaduar. Pra, ndërsa bashkëmoshatarët e tij italianë janë duke studiuar apo dëfryer, ai duhet të rrijë radhave.

Çfarë ndodhi? Pyetja e saktë është: çfarë nuk ndodhi? Në mëse tre vjet, në fakt, në fillim Letta e ministrat e tij, më pas Renzi dhe të tjerët, nuk gjetën kohën apo dëshirën për të shkruar aktet nënligjore apo rregulloret zbatuese të ligjit të ri. Duhet ta kishin bërë brenda 3 muajve, por hiç. Kështu që ajo risi, edhe pse e bukur, mbeti letër pa vlerë. Je student? Hajde në Kuesturë, ja lejeqëndrimi yt, shihemi pas 12 muajsh. Si të mos kish ndryshuar asgjë.

Sot që kemi një qeveri të re, lind pyetja nëse do të kemi ndonjë të re pozitive në këtë aspekt. “Të mos shkatërohen ëndrrat e studentëve duke u mohuar të drejtat e tyre. Ligji është. Zbatojeni!” lexohet në peticionin drejtuar kryeministrit Paolo Gentiloni dhe ministres së Arsimit Valeria Fedeli dhe atij të Brendshëm Marco Miniti të botuar në Change.org nga Elvira Ricotta Adamo e shoqatës QuestaèRoma, bashkë me të tjerë “të rinj të huaj e italianë, që i bashkon dashuria për këtë Vend dhe dëshira për të studiuar këtu”.

“Rregullat e reja dukeshin një kthesë pas shumë e shumë betejash, por nuk ndodhi asgjë. Me përtëritjet e përvitshme, faktikisht mbetesh për muaj me radhë peng i burokracisë, me në xhep vetëm lejen e skaduar që veç të tjerash nuk të lejon të lëvizësh në Evropë” shpjegon Ricotta Adamo për Stranieriinitalia.it. “Një vështirësi më shumë, që shkurajon zgjedhjen e ndjekjes së studimeve në Itali, që i shtohet bursave të pakta të studimit dhe të tjerave probleme kronike. Të mos habitemi pastaj që universitetet italiane janë kaq pak tërheqëse në shkallë ndërkombëtare”.

Si është e mundur që nuk arrihet të vihet në jetë ai ligj? Problemi mund të qëndrojë, ashtu si për vetëdeklarimet, në pamundësinë e vënies në komunikim të bankave të të dhënave të universiteteve me ato të ministrisë së Brendshme, për të verifikuar automatikisht provimet e marra. “Po si mund të paralizohet një reformë kaq e rëndësishme për një çështje procedurash? Nga viti 2013 deri më sot, akoma nuk kanë arritur të gjejnë një zgjidhje? Mund t’u përmirësojnë jetën dhjetëra mijëra të rinjve, ka ardhur koha të tunden”.

Elvio Pasca