TAR: “Pas një viti në Tiranë, studentët mund të vazhdojnë universitetin në Itali” - Shqiptari i Italisë

Studentët
Gjykata Administrative e Lazios vendos që studentët që mbarojnë një vit në Universitetin Zoja e Këshillit të Mirë të mund të vazhdojnë vitet e tjera në një universitet italian. Shoqata e Universitarëve UDU: “Kështu shmanget provimi i pranimit. Kjo është shkelje e parimit të barazisë mes studentëve”

Romë, 25 mars 2014 - Vihen sërish në qendër të vëmendjes  studentët italianë të mjekësisë të universitetit Zoja e Këshillit të Mirë (UZKM) në Tiranë. Këtë radhë shkak është bërë sentenca e gjykatës administrative të Lazios që mundëson regjistrimin në një universitet italian të studentëve që mbarojnë një vit në Tiranë. Më parë studentët italianë mund të mbaronin të gjithë universitetin në Tiranë në UZKM dhe sidoqoftë diploma e marrë atje u njihej në Itali.

Me vendimin e TAR-it të Lazios, u bëhet akoma më mirë: mbarojnë atje vetëm një vit, pastaj kthehen sërish e vazhdojnë vitet e tjera në një universitet italian. Kështu vijnë e studiojnë në vendin e tyre, për më tepër në universitete që u kushtojnë shumë më pak se në Tiranë (Corriere della Sera titullon një shkrim të sajin sot: “Dhjetë mijë euro dhe një vit në Tiranë mjaftojnë për t’u bërë mjek në Itali”)

Gjykata justifikon vendimin e saj me faktin se programi i atij universiteti, i lindur nga një bashkëpunim me Universitetin Shtetëror të Milanos, Torr Vergata të Romës dhe Universitetin e Barit, është i njëjtë me programin italian, leksionet mbahen në gjuhën italiane, profesorët janë shumica italianë, ashtu si edhe rektori i Universitetit Zoja e Këshillit të Mirë. Kështu që duke qenë titulli i studimeve të atij universiteti edhe titull italian, praktikisht gjykatësit pranojnë që të gjithë ata që japin një vit provime në UZKM të vijnë e të vazhdojnë vitet e tjera në Itali.

Ç’të keqe ka në këtë mes? Asgjë po të mos mbahet parasysh që në Itali mjekësia është universitet me numër të mbyllur studentësh e duke e bërë vitin e parë jashtë, shmanget provimi i pranimit goxha i vështirë për t’u kaluar. Vendimi i gjykatës është i fillimit të shkurtit por lajmi jepet tani, pikërisht vetëm pak ditë para mbajtjes së provimit të pranimit për vitin e ardhshëm akademik (provimet e pranimit këtë radhë, si asnjëherë tjetër, mbahen që më 8 prill). Për të kuptuar sa vështirë është të hysh në një fakultet mjekësie mjafton të mbahet parasysh që nga 62 mijë të rinjtë e regjistruar këtë vit për të mbajtur provimin, do të pranohen vetëm 7.918 vetë, sa ç’janë vendet në dispozicion të vëna nga universitetet e gjithë Italisë.

Për këtë arsye ndjekja e vitit të parë në UZKM në Tiranë, ku konkurrenca për t’u pranuar nuk është kaq e lartë, ka ndezur polemika në Itali. Avokatët e UDU (Unione degli Universitari) ngrenë zërin: “Është shkelje e hapur e barazisë mes studentëve që përpiqen të kalojnë testin e pranimit në Itali apo që studiojnë në universitete të tjera të BE-së dhe atyre që shkojnë në Shqipëri. Për të mos folur për diskriminimin ekonomik. Kjo sentencë duket se hedh poshtë praktikën e fakulteteve me numër të mbyllur studentësh”.

Disa muaj më parë çështja e diplomave të marra në UZKM përfundoi edhe në Senat. Më 5 nëntor, senatori Giuseppe Marinello dhe 15 të tjerë kanë nënshkruar një dokument me anë të të cilit kërkojnë përgjigje me shkrim të ministrave të Shëndetësisë, të Arsimit dhe të Punëve të Jashtëm lidhur me dukurinë e regjistrimit në masë të studentëve itallianë në universitetin Zoja e Këshillit të Mirë në Tiranë, që lëshon diploma italiane. Kërkojnë të dinë nga ministrat: “A nuk u duket se ndjekja e universitetit në Tiranë është transformuar në një mënyrë anashkalimi mashtrues të normativës italiane që parashikon ndjekjen e fakulteteve të mjekësisë me marrjen e një provimi hyrjeje? Si shpërblehen profesorët universitarë italianë që japin mësim në Zojën e Këshillit të Mirë në Tiranë? A nuk përbën kjo situatë një diskriminim të hapur e të urryer në brendësi të komunitetit  të studentëve italianë duke u lejuar vetëm më të pasurve të shkojnë e të ndjekin leksionet në Shqipëri? Çfarë garancish ka shteti italian mbi formimin në Shqipëri të studentëve që nesër do të jenë të regjistruar në Urdhrat italianë e profesioneve mjekësore?”

Të gjitha këto pikëpyetje të ngritura nuk kanë marrë përgjigje as nga ministrat e qeverisë Letta e as nga ata të qeverisë Renzi.

K.B. /Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)