Studentët: A ia vlen të kthehesh në Shqipëri? - Shqiptari i Italisë

Studentët

Studimi: “Edhe pse shumica e konsideron të mirë ose shumë të mirë vendimin për tu kthyer (79%), mbetet shqetësues fakti që rreth 36% e të kualifikuarve të kthyer nuk e shohin veten në Shqipëri pas pesë vitesh”

Romë, 26 dhjetor 2011 – Një studim i Lëvizjes Europiane në Shqipëri, EMA, i realizuar në bazë të një ankete me profesionistë të rikthyer që janë kualifikuar jashtë vendit (i prezantuar në Tiranë më 21 dhjetor gjatë forumit “A ia vlen të kthehesh në Shqipëri?”) ka arritur në përfundimin se shqiptarët që kanë studiuar jashtë kanë vështirësi për t’u integruar në tregun vendas të punës.

Ndër problemet më kryesore të tyre janë kultura e punës dhe korrupsioni. Profesionistët e rinj thonë se kanë problem me njohjen e diplomës nga Ministria e Arsimit si dhe me gjetjen e një pune.

“Me gjithë dëshirën për të riatdhesuar personat e diplomuar jashtë, ata kanë pak ose aspak marrëdhënie me institucionet e qeverisë” thuhet në raport.

Mendohet se 1,4 milionë shqiptarë kanë emigruar jashtë gjatë dy dekadave të fundit.

Në vitin 2006, me ndihmën e PNUD, qeveria shqiptare ngriti një program për thithjen e trurit (brain gain).

Megjithatë, sipas raportit të EMA, ata persona të diplomuar që janë kthyer kanë dyshime nëse do rrinë në të ardhmen në Shqipëri. 42% e tyre thonë se po avancojnë pak ose aspak në karrierën e tyre, kurse 36% nuk e shohin veten e tyre në Shqipëri në pesë vitet e ardhshme.

Sipas anketës së realizuar nga EMA me profesionistë të rikthyer që janë kualifikuar jashtë vendit, përfundimet kryesore janë:

- Rikonfirmohet prirja në rritje e të kualifikuarve për tu kthyer në Shqipëri. Shqiptarët shkojnë jashtë vendit kryesisht me qëllim studimin dhe jo punësimin. Lidhjet familjare përbëjnë shtysë të fortë për tu rikthyer.

- Megjithatë i lartë mbetet numri i atyre që largohen çdo vit. Për pasojë, mbetet e vështirë të njihet me saktësi dinamika e dy proceseve: largimit dhe kthimit të trurit.

- Ndër vështirësitë me të cilat përballen të kualifikuarit për tu integruar në Shqipëri mbizotërojnë ndryshimet në kulturën e punës si dhe korrupsioni.

- Me gjithë dëshirën për tu kthyer, të kualifikuarit jashtë vendit kanë lidhje të dobëta me institucionet shtetërore. Të paktë janë ata që marrin ndihmë nga institucionet shtetërore për tu ri-integruar.

- Njohja e diplomës ende perceptohet si një procedurë e gjatë dhe burokratike e për tu shmangur nëse është e mundur.

- Mbizotërojnë mënyrat jo formale të punësimit si për shembull duke kontaktuar drejt për drejt punëdhënësin (37,9%) apo nëpërmjet të afërmve e miqve (36,4%). Këto të dhëna rikonfirmojnë që kanalet zyrtare të punësimit në tregun shqiptar mbeten ende të dobëta, duke ulur mundësitë për  rekrutime transparente dhe konkurruese.

- Shqipëria nuk është e përjashtuar nga rreziku i “shpërdorimit” të trurit dhe as nga ai i ri-largimit të tij! Rreth 42% mendojnë se po avancojnë pak ose aspak profesionalisht në Shqipëri. Edhe pse shumica e konsideron të mirë ose shumë të mirë vendimin për tu kthyer (79%), shqetësues mbetet fakti se rreth 36% e të kualifikuarve të kthyer nuk e shohin veten në Shqipëri pas pesë vitesh.

 

Advertisement