Tridhjetë universitete italiane prezantohen në Tiranë - Shqiptari i Italisë

Studentët
Të rinjtë që duan të studiojnë në Itali, këtë fundjavë do të njihen me ofertën akademike të mbi 30 universiteteve italiane. Më 6 tetor, pranë Muzeut Kombëtar, në kuadër të Javës XII të Gjuhës Italiane

Tiranë, 4 tetor 2012 – Të gjithë të rinjtë shqiptarë që duan të vazhdojnë studimet e larta në Itali, këtë fundjavë kanë mundësinë të njihen me programet akademike të  tridhjetë universiteteve italiane.  Në një veprimtari që do të zhvillohet në 6 tetor, pranë Muzeut Kombëtar, në kuadër të Javës XII të Gjuhës Italiane në Botë, siç shpjegoi në një konferencë për shtyp ambasadori i Italisë, Massimo Gaiani.

Në kuadrin e promovimit dhe ndërkombëtarizimit të sistemit universitar italian, Ambasada italiane organizon këtë veprimtari të rëndësishme përmes Institutit Italian të Kulturës dhe Zyrës së Bashkëpunimit Shkollor, në bashkëpunim me Zyrën e Bashkërendimit dhe Ndërkombëtarizimit Area Science Park dhe me mbështetjen e Drejtorisë së Përgjithshme për Marrëdhëniet Ndërkombëtare të Ministrisë italiane të Arsimit, Universiteteve dhe Kërkimit.

Duke dhënë një panoramë të aktiviteteve, ambasadori Gaiani tha se veprimtaria e parë "Të studiosh në Itali – Universitetet Italiane në Tiranë për ju", do të jetë një ditë kushtuar paraqitjes së programeve universitare të studimit në Itali, që do të zhvillohet pranë Muzeut Historik Kombëtar, në të cilën do të jenë të pranishme më shumë se tridhjetë Universitete italiane.

Prania, për të parën herë në Shqipëri, e një numri kaq të madh universitetesh italiane, do t’u japë mundësinë studentëve të përftojnë informacione të vlefshme për të nisur apo të për vazhduar studimet universitare ose pas universitare në Itali. "Dita e 6 tetorit do të jetë gjithashtu e dobishme për lidhjet e mundshme mes universiteteve italiane dhe atyre shqiptare, të interesuara për çeljen e kurseve të përbashkëta në ciklet trevjeçare apo master. Kjo veprimtari do të përurohet nga Ambasadori i Italisë Massimo Gaiani, nga Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj dhe nga Ambasadorja e Konfederatës Zviceriane, Yvana Enzler", tha ambasadori Gaiani.

Në vijim të kësaj dite mbi orientimin universitar, Ambasada e Italisë do të jetë e pranishme dhe në Panairin Work&Study në datën 13 tetor, pranë Pallatit të Kongreseve në Tiranë, kushtuar studimit të gjuhës italiane në Shqipëri si dhe mundësive të punësimit që lidhen pikërisht me njohjen e gjuhës italiane.

Nisma bujare e tre sipërmarrjeve italiane me aktivitet në Shqipëri i shtohet bursave të studimit të cilat ofrohen çdo vit nga Ministria italiane e Punëve të Jashtme, Qarqet apo Entet e tjera, si dhe përbëjnë një dëshmi të qartë të mundësive të punësimit që Italia, si vendi kryesor investues në Shqipëri, me numrin më të madh të sipërmarrjeve, ofron për të rinjtë shqiptarë, të cilët vendosin të studiojnë Itali.

Dita e informimit mbi sistemin universitar është bërë pjesë e edicionit XII të Javës së Gjuhës Italiane në Botë. Ajo do të përurohet ditën e shtunë, më datë 6 tetor, ora 9.30 prej Ambasadorit të Italisë, Massimo Gaiani, Ambasadores së Zvicerës, Yvana Enzler, Ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj, Përgjegjësit për Bashkëpunimin Shkollor Prof. Vito Stigliani dhe Drejtoreshës së Institutit Italian të Kulturës, Fulvia Veneziani.