Universitetet italiane. Nga sot testet e pranimit, edhe për studentët e huaj - Shqiptari i Italisë

Studentët
Rreth 83 mijë të rinj për 19 mijë vende në fakultetet e Mjekësisë, Odontoiatrisë, Veterinarisë dhe Arkitekturës. Brezat e dytë konkurrojnë me italianët, për të ardhurit nga jashtë ka kuota të rezervuara. Nga italianët që nuk kalojnë testin, shumë mund të shkojnë ta provojnë në Tiranë, në Universitetin e Zojës së Këshillit të Mirë

Romë, 8 prill 2014 – Nisin sot testet e pranimit për fakultetet me numër të mbyllur studentësh që për të parën herë nuk bëhen në shtator por që në pranverë.

Sot (8 prill) e kanë radhën të rinjtë që duan të bëhen mjekë e dentistë, të mërkurën (9 prill) ata që duan të bëhen veterinerë, të enjten (10 prill) kush ka ndër mend të marrë diplomën në Arkitekturë.

Nga të dhënat e ministrisë së Universitetit, në këto teste do të marrin pjesë rreth 83 mijë të rinj, 17% më pak se në vitin 2013, ndërsa numri i studentëve që do të pranohen në fakultete është rreth 19 mijë.

Në këtë provim prezantohen edhe shumë të rinj jo italianë. Pjesa më e madhe e tyre janë bij imigrantësh, djem e vajza të rritur në Italidhe që kanë bërë këtu edhe shkollën e mesme. Të gjithë këta konkurrojnë për një vend në këto fakultete bashkë me bijtë e italianëve.

“Të huajt e vërtetë” janë të rinjtë që kanë mbërritur në Itali këto ditë pikërisht për të marrë pjesë në këto teste dhe që deri tani kanë jetuar dhe studiuar në vendlindje. Këta ndjekin një procedurë të veçantë pararegjistrimi përmes konsullatave italiane, dhe konkurrojnë për postet e rezervuara nga universitetet posaçërisht për  të rinjtë që vijnë nga jashtë.

E ata që nuk kalojnë testin? Nuk mund të ndjekin fakultetin e Mjekësisë, Odontoiatrisë, Veterinarisë apo Arkitekturës në Itali, por mund të shkojnë e ta provojnë në tjetër vend. Për mjekët e ardhshëm italianë, një mundësi shumë e mirë veç Spanjës, Rumanisë, Bullgarisë, Republikës Çeke, është Shqipëria me Zojën e Këshillit të Mirë, ku edhe pse taksat vjetore janë tejet të larta (deri në 8 mijë euro thotë një studente italiane për studenti.it), niveli i jetesës është goxha i liirë. E kanë bërë me qindra këtë zgjedhje vitin e shkuar e me siguri do të jenë edhe më të shumtë vitin e ardhshëm akademik, sepse jo vetëm u njihet një diplomë e marrë atje si të ish marrë në Itali, por edhe pse falë një sentence të Gjykatës Administrative të Lazios, studentët që mbarojnë një vit në Universitetin Zoja e Këshillit të Mirë të mund të vazhdojnë vitet e tjera në një universitet italian.  

EP

Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

Advertisement