Universitetet italiane, një hap larg Shqipërisë - Shqiptari i Italisë

Studentët
Ambasada italiane dhe Instituti Italian i Kulturës në Tiranë duke parë interesin e madh të të rinjve shqiptarë për të studiuar në Itali, kanë mundësuar një panair njohës të sistemit universitar italian, përmes ardhjes në Shqipëri të 29 universiteteve më të njohura italiane, në kuadër të Javës XII të Gjuhës Italiane në Botë

Nëse dikur të studioje në Itali quhej një privilegj, sot, është një realitet fare i prekshëm. E hapur përballë një interesi jashtëzakonisht në rritje të studentëve shqiptarë, Ambasada italiane jo vetëm s’ka qëndruar indiferente por ka mundësuar një aktivitet shumë interesant gjatë muajit tetor, në kuadër të Javës XII të Gjuhës Italiane në Botë. Pikërisht, në kuadër të promovimit dhe ndërkombëtarizimit të sistemit universitar italian, ajo organizoi në Tiranë një veprimtari të rëndësishme njohëse dhe këshilluese përmes Institutit Italian të Kulturës dhe Zyrës së Bashkëpunimit Shkollor, në bashkëpunim edhe me Zyrën e Bashkërendimit dhe Ndërkombëtarizimit Area Science Park dhe me mbështetjen e Drejtorisë së Përgjithshme për Marrëdhëniet Ndërkombëtare të Ministrisë italiane të Arsimit, Universiteteve dhe Kërkimit.

Por, aktiviteti do të ishte fare pa vlerë, nëse nuk kujtojmë se bashkë me organizatorët erdhën dhe përfaqësuesit e njëzetë e nëntë universiteteve italiane për të marrë pjesë më 6 tetor në një ditë speciale të prezantimit të programeve të tyre universitare të studimit dhe më shumë akoma për të nxitur bashkëpunimin me sistemin akademik italian...”Kjo iniciativë është e veçantë dhe ka shumë elementë të rinj: Për të parën herë universitetet italiane vijnë dhe prezantojnë vetë ofertën e tyre; për herë të parë Sistemi italian paraqitet me një sistem të tillë kaq kompakt si nga Universitetet Private dhe publike për një aktivitet për të rinjtë; dhe po për herë të parë studentët shqiptarë kanë mundësi të kenë përballë të gjithë rrjetet arsimore të Ministrisë së Jashtme që ndihmojnë për mësimin e italishtes kudo në Botë...”, u shpreh mes të tjerave ambasadori italian Massimo Gaiani.

Universitetet pjesëmarrëse në panair

Ofrojmë shumë gjëra. Universiteti ynë është i katërti më i vjetër në Botë – thotë Dr. Gianumberto Caravello përfaqësues i Universitetit të Padovas. – Kuptohet se me zhvillimet që kanë universitetet e përtej Oqeanit kanë ndryshuar hierarkitë, por universiteti i Padovës është universiteti i Padovës”.

Shqiptarët janë studentë interesantë. Njësoj si të tjerët.... I tërheq shumë universiteti ynë...”, shprehet Prof. Uoldelul Chelati Dirar i Universitetit të Mesinës. Kurse Dr. Marko Bevilacqua i Universitetit të Sienës shprehet se universiteti i tij veç të tjerave ka dhe një kampus tejet origjinal. Njësoj vijonin ndërkohë pyetje-përgjigjet në stendat e tjera, ku një masë njerëzish janë këshilluar pafund me pedagogët dhe studiuesit italianë. E veçantë ishte se vetë të rinjtë (jo shpesh shoqëruar dhe nga prindët), vinin dhe komunikonin lirisht me stendat e universiteteve.

Për edhe asnjë moment të vetëm asnjëra nga stendat e universiteteve italiane nuk mbeti edhe për pak minuta e lirë. Profesorët e universiteteve të Bologna-s, Cagliari-t, Camerino-s, Chieti-t, Foggia-s, Macerata-s, Messina-s, Milano Bicocca-s, Molise-s, Padova-s, Pavia-s, Perugia-s, Trento-s dhe Urbino-s, Politekniku i Bari-t, Universiteti Zoja e Këshillit të Mirë dhe Instituti i Lartë i Ndërmjetësimit Gjuhësor Ciels, jo vetëm paraqisnin modulet e fakulteteve të tyre, por më shumë se kaq ishin të hapur për të gjitha pyetjet që lidheshin me të rinjtë. Këtyre iu shtuan edhe përfaqësuesit e Qarqeve të Friuli Venezia Giulia-s dhe Toscana-s, të cilët paraqitën programet akademike të territoreve përkatëse përmes Sistemit të Formimit të Lartë të Friuli Venezia Giulia-s (e cila përmbledh Universitetet e Trento-s dhe Udine-s), Shkollën e Lartë Ndërkombëtare të Studimeve të Përparuara të Trieste-s, Konservatorin e Trieste-s dhe Udine-s si dhe Rrjetin Tune (Tuscany Universities Netëork, në të cilin bëjnë pjesë Universitetet e Firenze-s, Pisa-s, Siena-s, Universiteti për të Huajt i Siena-s, Shkolla e Lartë Sant’Anna si dhe Shkolla e Lartë Normale e Pisa-s).

Rëndësia

Rëndësia e aktivitetit mund të matej me shkallën e pjesëmarrjes së zyrtarëve të pranishëm. Ishin dy primatët e ambasadave italiane dhe zvicerane, respektivisht shkëlqesia e tij Massimo Gaiani, dhe SH.S. Yvana Enzler, zv/Ministrja e Arsimit dhe Shkencës Nora Malaj, Përgjegjësi për Bashkëpunimin Shkollor Prof. Vito Stigliani dhe Drejtoresha e Institutit Italian të Kulturës Znj. Fulvia Veneziani. Por aktivitetin e ndoqën edhe mjaft përfaqësues së Zyrës së Studentëve pranë Konsullatës Italiane në Tiranë, shoqatat Ipsia-Acli dhe Asan, mjaft aktive në fushën e informimit të studentëve shqiptarë si dhe APADI, Shoqata e sapokrijuar e Mësuesve Shqiptarë të Gjuhës Italiane.

Ministria italiane e Punëve të jashtme sëbashku me Akademinë Crusca prej vitesh organizon të ashtuquajturin “Java e gjuhës italiane”, e cila de jure ka qëllimin të ndikojë në përhapjen e gjuhës italiane në botë. Por, de facto në themel të projektit“Italia e territoreve – Italia e së ardhmes” ajo ka bashkëpunuar me Universitetet e shumta të vendit me një gjeografi të gjerë, me qëllimin të jenë të angazhuara në një proces ndërkombëtarizimi, për t’u sfiduar me tregun botëror të dijes.

Në të njëjtin aktivitet katër studentëve shqiptarë u është ofruar nga një bursë studimi me vlerë 4 mijë euro secila, dhënë nga 3 sipërmarrjet italiane: Petrolifera Italo-shqiptare, Banka Intesa San Paolo Shqipëri dhe Banka Veneto. Respektivisht dy bursa janë dhënë nga Petrolifera Italo-Shqiptare, një bursë është dhënë nga Banka Intesa San Paolo dhe një nga Banka Veneto. E gjithë veprimtaria u mbështet edhe nga mbështetja e ABCom dhe Klik Ekspo.

Italia mbetet vendi kryesor investues në Shqipëri dhe në këtë rast shton subjektet që akordojnë bursa për shqiptarët. Deri më tani ato akordohen nga Ministria italiane e Punëve të Jashtme, Qarqet apo Entet e tjera. Por, kjo ditë më shumë se çdo gjë do të mbahet mënd edhe si ditë e ndërbashkveprimit të suksesshëm në mes të dy vendeve, falë bashkëpunimit të shumë aktorëve të rëndësishëm...

Nga Ben Andoni, revista Java

Lexo të plotë: Italia universitare, vetëm një hap larg

 

Advertisement