Universitetet italiane. Testi i italishtes, provimi i parë për të rinjtë e huaj - Shqiptari i Italisë

Studentët
Më 2 shtator, pengesa e fundit për ata që vijnë nga jashtë Italisë. Provimi i italishtes ndryshon sipas fakultetit dhe degës. Italia mbetet ndër vendet evropiane më pak tërheqëse për studentët e huaj dhe leja e qëndrimit për gjithë kohëzgjatjen e studimeve duket se nuk do të jepet as këtë herë pasi deri tani nuk janë bërë modifikimet e nevojshme në rregulloren zbatuese të Tekstit Unik mbi Imigracionin

Romë, 1 shtator 2014 – Është pengesa e fundit që duhet të kalojnë, pas saj mund të harrojnë vështirësitë e kaluara për të ardhur në Itali e të mendojnë (kryesisht) të studiojnë.

Para verës, djemtë e vajzat rezidentë jashtë Italisë që donin të ndiqnin një universitet, akademi apo shkollë të lartë italiane kanë paraqitur kërkesat e pararegjistrimit në konsullata. Deri në fund të gushtit kanë marrë vizat e hyrjes për studime e po vijnë në Itali.

Sipas një kalendari të përgatitur nga ministria e Arsimit, do të mbahet nesër, më 2 shtator, prova e italishtes, pranë universiteteve të zgjedhura nga të rinjtë. Mënyra e testimit ndryshon nga fakulteti në fakultet: në disa bëhet vetëm një bisedë e thjeshtë, në të tjera prova është disi më e plotë e përfshin edhe leximin e shpjegimin e një teksti. Por gjithsesi “pengesa” është relativisht e lehtë dhe e kapërcyeshme. Kush do ta kalojë me sukses do të regjistrohet më në fund në degën e zgjedhur.

Natyrisht nuk do të jetë “pushtim” të huajsh. Vitet e fundit, me 4% të huaj në gjithë popullsinë studentore, Italia nuk spikat për aftësinë e saj tërheqëse. Mesatarja evropiane e studentëve të huaj mes atyre vendas është 8%, për të mos përmendur vende si Gjermania ku arrihet 10% apo si Mbretëria e Bashkuar ku një ndër pesë studentë është i huaj (20%).

Shqiptarët e regjistruar në universitete e shkolla të larta italiane në vitin akademik 2012-2013 (të dhënat e fundit analitike të ministrisë janë të këtij viti) kanë qenë 11.023 (shifër në rënie nga viti në vit) por shumica e tyre janë bij imigrantësh që jetojnë prej vitesh në Itali. Nga të dhënat ISTAT për vitin 2012 rezulton se vetëm 470 shqiptarë kanë ardhur në Itali me një vizë për studime.

E vështirë që situata të ndryshojë këtë vit, po të mbahen parasysh pengesat burokratike, bursat e pakta të studimit apo vendet e strehimit të pamjaftueshme. Leja e qëndrimit e vlefshme për gjithë kohëzgjatjen e kursit të studimeve duhet të ishte një hap për t'u lehtësuar të huajve burokracinë e qëndrimit në Itali, por  kjo duket se nuk do të jetë e mundur të lëshohet as këtë vit, pasi edhe pse ligji është miratuar përfundimisht më 7 nëntor 2013, akoma sot e kësaj dite nuk është bërë modifikimi i rregullores zbatuese të Tekstit Unik mbi imigracionin, 15 ditë pas të cilit (modifikimit) do të mund të hyjnë më në fund në fuqi normat e reja mbi kohëzgjatjen e lejes së qëndrimit për studime.

E.P. Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

 

Advertisement