Universitetet italiane. Testi i pranimit në prill, afrohen edhe regjistrimet nga jashtë - Shqiptari i Italisë

Studentët
Provat për fakultetet me numër të mbyllur studentësh do të bëhen që në prill, ja kalendari i caktuar nga ministria. Kërkesat në Konsullata për të huajt që duan të bëhen mjekë, dentistë, veterinerë dhe arkitektë

Romë, 7 shkurt 2014 – Mjekët, dentistët, veterinerët dhe arkitektët e ardhshëm të bëhen gati. Këtë vit, testet e pranimit në fakultetet me numër të mbyllur studentësh do të mbahen që në prill dhe jo në shtator siç është bërë deri më sot. Edhe kush jeton jashtë e dëshiron të studiojë në Itali duhet të vihet në lëvizje shumë më përpara se vitet e shkuara.

Afrimi i datës së provimeve të pranimit, shpjegojnë nga ministria e Arsimit, Universitetit dhe Kërkimit shkencor, “është vendosur për të vënë Italinë në linjë me vendet e tjera, me qëllimin e dyfishtë të favorizimit të hyrjes së studentëve të huaj dhe mundësimin e nisjes në kohë të kurseve që nga fillimi i vitit akademik. Në të njëjtën kohë mbajtja shumë përpara e provimit të pranimit u lejon atyre që nuk do ta marrin të vlerësojnë me kujdes një zgjedhje alternative”.

Ja kalendari i provimeve i përcaktuar të mërkurën, më 5 shkurt, nga një dekret i ministres Maria Chiara Carrozza. Mjekësia dhe Kirurgjia, Odontoiatria dhe proteza dentare (në gjuhën italiane): 8 prill 2014; Mjekësia Veterinare: 9 prill 2014; Kursi i diplomimit dhe i diplomës magjistrale me cikël unik, të finalizuar drejtpërdrejt për profesionin e Arkitektit: 10 prill 2014; Mjekësi dhe Kirurgji (në gjuhën angleze): 29 prill 2014.

Provimi konsiston në 60 pyetje me pesë mundësi secila, të cilave duhet t’u përgjigjesh brenda 100 minutave. Për të mbrojtur këto teste, kandidatët duhet të prenotohen në www.universitaly.it nga 12 shkurti 2014 dhe brenda orës 15.00 të datës 11 mars 2014.

Po studentët e huaj? Për ata që jetojnë rregullisht në Itali vlejnë të njëjtat rregulla të italianëve. Ndërsa atyre që jetojnë jashtë Italisë u kërkohet një hap paraprak: një kërkesë pararegjistrimi që duhet paraqitur në konsullatën italiane, që do t’ia përcjellë universitetit dhe do të lëshojë një vizë hyrjeje për të mbrojtur provimin.

Është procedurë që mund të kërkojë edhe shumë javë, ndaj kush mendon të vijë të ndjekë në Itali një fakultet me numër të mbyllur studentësh bën mirë të vihet sa më parë në lëvizje. Deri tani, akoma nuk është përcaktuar akoma një datë nga e cila mund të nisë paraqitja e kërkesave në konsullata.

Elvio Pasca

(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)