Universiteti. Ditët e fundit të regjistrimeve për studentët e huaj - Shqiptari i Italisë

Studentët
Brenda 7 korrikut kërkesat e pararegjistrimit në konsullata për të rinjtë që jetojnë jashtë e që duan të vijnë për studime në Itali. Në gusht vizat e hyrjes

Romë, 27 qershor 2016 – Nuk duhet humbur më kohë. Më 7 korrik 2016 mbyllen pararegjistrimet nga jashtë për të ardhur për të ndjekur një universitet, një akademi apo konservator në Itali.

Duhet ta bëjnë vetëm të huajt që jetojnë në një vend jokomunitar, pasi të gjithë të huajt që jetojnë në Itali, përfshirë bijtë e imigrantëve dhe të gjithë shtetasit komunitarë, mund të regjistrohen në universiteti e zgjedhur duke ndjekur të njëjtën procedurë të italianëve.

Për ata që vijnë nga jashtë, çdo universitet, çdo shkollë e lartë e formimit artistik, muzikor e koreografik rezervojnë çdo vit një numër të caktuar vendesh për çdo kurs studimi. Të gjitha janë dhënë në në faqen internet "Studiare in Italia" të krijuar nga ministria e Arsimit, bashkë me rregullat, udhëzimet dhe formularët që duhen përdorur për kërkesat.

Kërkesat paraqiten në konsullatat italiane pranë vendlindjes që do t’i mbledhin e do t’ua përcjellin universiteteve. Të rinjve që i kanë të gjitha dokumentet e paraqitura në rregull (dke filluar nga diploma e studimit e vlefshme për të nisur kursin e zgjedhur), do t’ lëshohet brenda fundit të gushtit një vizë hyrjeje për studime.

Kur të mbërrijnë në Itali do t’u duhet të kapërcejnë edhe pengesat e fundit. Para së gjithash një test italishteje të detyrueshëm, me përjashtim të pak rasteve. Kush ka zgjedhur një kurs me numër të mbyllur studentësh duhet edhe të mbajë edhe provimin e pranimit. Kush do të kalojë me sukses testimet mund të kërkojë më pas lejen e qëndrimit për motive studimi e të regjistrohet përfundimisht.

Sipas MIUR, gjatë vitit akademik 2013/2014 në universitetet italiane kishte më pak se 70 mijë të regjistruar të huaj, 4,2% e të gjithë studentëve. Po shtohen nga viti në vit, por përqindja e tyre mbetet goxha larg mesatares evropiane, që është rreth 8%. Mbi të gjitha, pjesa dërrmuese e të huajve që regjistrohen në universitetet italiane janë të diplomuar këtu sepse janë bijtë e imigrantëve apo të ashtuquajturit brezat e dytë që falë ligjit për shtetësinë janë akoma me pasaportën e prindërve e jo atë italiane që meritojnë. Sistemi italian i studimeve të larta është pak tërheqës për të rinjtë e huaj sepse ka një sërë të metash si pak bursa studimesh apo pak vendstrehime në qytete universitare, përveç problemeve të shumta administrative për marrjen e përtëritjen e lejeve të qëndrimit.

Norma për futjen e studentëve të huaj në kurset universitare për vitin akademik 2016-2017