Universiteti italian. Caktohen datat për provimet e pranimit, të gjitha në shtator - Shqiptari i Italisë

Studentët
Kalendari i provimeve të pranimit për fakultetet me numër të mbyllur studentësh. Vlen për të gjithë, përfshirë ata që jetojnë akoma në vendlindje

Romë, 11 prill 2015 – Këtë pranverë nuk do të ketë asnjë provim pranimi për fakultetet me numër të mbyllur studentësh.

Ditët e para të prillit, Ministria e Universitetit ka botuar kalendarin zyrtar të provimeve të pranimit, që do të mbahen që të gjitha në muajin shtator.

Ja cilat janë datat e sakta sipas degëve:

Profesionet e Shëndetësisë (Professioni Sanitarie) – 4 shtator 2015
Mjekësia dhe Kirurgjia, Odontoiatria dhe proteza dentare në gjuhën italiane – 8 shtator 2015
Mjekësia dhe Kirurgjia në gjuhën angleze – 16 shtator 2015
Mjekësia Veterinare – 9 shtator 2015
Kursi i diplomimit dhe i diplomës magjistrale me cikël unik, të finalizuar drejtpërdrejt për profesionin e Arkitektit – 10 shtator 2015
Shkenca të arsimit fillor – 11 shtator 2015

Lajmi është i vlefshëm edhe për shumë bij imigrantësh që ndjekin shkollat e mesme italiane. Pas diplomimit, duke qenë rezidentë në Itali, ata mund të regjistrohen në fakultetet që duan të ndjekin me të njëhtat kritere të bashkëmoshatarëve të tyre italianë.

Kalendari i provimeve të pranimit është i rëndësishëm edhe për djem e vajza që jetojnë akoma në vendlindje por që kanë dëshirë të vazhdojnë studimet e larta në Itali. Atyre u duhet të ndjekin një procedurë më të komplikuar regjistrimi. Para së gjithash, duhet të presin që të hapen pararegjistrimet nga jashtë Italisë (zakonisht në maj-qershor) e të paraqesin kërkesë përmes konsullatave italiane në vendlindje. Nëse do të pranohen, në fund të verës do të marrin edhe vizën e hyrjes për të mbajtur provimet e gjuhës dhe të pranimit (nëse zgjedhin fakultet me numër të mbyllur studentësh).

Stranieriinitalia.it