Universiteti. Mbyllen prenotimet për testin e pranimit në fakultetet me numër të mbyllur - Shqiptari i Italisë

Studentët
Kush dëshiron të nisë studimet për t’u bërë mjek, dentist, veteriner apo arkitekt duhet të prenotohet brenda 11 marsit. Edhe ata që jetojnë jashtë Italisë. Bëhet gjithçka online në Universitaly.it. Më 7 prill provimi i gjuhës

Romë, 10 mars 2014 – Kush ëndërron të bëhet mjek, dentist, veteriner apo arkitekt në Itali duhet të nxitojë. Mbyllen nesër, më 11 mars, në orën 15.00, prenotimet për testin e pranimit në fakultetet me numër të mbyllur studentësh.

Këtë vit testet do të mbahen nga data 8 deri në 10 prill dhe për këtë arsye është afruar në kohë edhe procedurat e prenotimeve. Bëhet gjithçka online, në portalin Universitaly.it, duke hyrë në seksionin “Accesso programmato 2014”. Para së gjithash është e nevojshme të regjistrohesh, më pas do të mjaftojë shkruash adresën elektronike dhe fjalëkalimin për të përpiluar kërkesën.

Procedura është e vlefshme edhe për studentët e huaj, qoftë ata që jetojnë në Itali qoftë ata që jetojnë në vendet e tyre por që duan të vijnë këtu për të ndjekur universitetin duke filluar nga viti i ardhshëm akademik. Për këta të fundit parashikohet një kuotë vendesh për çdo fakultet, por edhe prova shtesë e gjuhës italiane që do të mbahet më 7 prill.

Si do të mund të mbrojnë provimin e pranimit e atë të italishtes ata që nuk jetojnë në Itali? Natyrisht duke ardhur këtu. Shumicës do t’i duhet një vizë hyrjeje që qëndrime të shkurtra. Shqiptarët, falë liberalizimit të vizave, mund të vijnë pa vizë, të japin provimin e të kthehen sërish në vendlindje ku të presin me shpresën e pranimit.

Për të gjithë ata që duan të regjistrohen në vit të parë të universitetit, parapërgatitjet nuk mbarojnë me kaq. Nga24 marsi duhet të paraqesin, gjithnjë përmes konsullatave, kërkesat e pararegjistrimit për universitetet e zgjedhura (kalendari i saktë dhe procedura do të botohen në faqet internet studiare-in-italia.it/studentistranieri).

Elvio Pasca

(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)