ven 24 maggio 2013

Ultimi aggiornamenti02:47:47 PM GMT

Click on the slide!

Marsida Koni sjell muzikën e kompozitorëve shqiptarë në skenat italiane

Pianistja promovon në Chieti, Pescara e Cesena diskun e saj “Historia ime…”  Romë, 22 maj 2013 – Pianistja elbasanase…

Click on the slide!

Letërsia shqiptare në Panairin e Librit në Torino, një eksperiencë e bukur për t'u përsëritur

Prania për herë të parë e një stende shqiptare në Panair u mirëprit nga vizitorët e shumtë dhe personalitetet e…

Click on the slide!

Ylli i The voice of Italy quhet Elhaida Dani

20-vjeçarja nga Shkodra,  e preferuara absolute e publikut të gjerë, arrin në finalen e The voice of Italy Elhaida Dani…

Click on the slide!

Mafia, sfida ndaj shtetit

Më 23 maj 1992. Në autostradën që nga Punta Raisi çon për në Palermo vritet gjykatësi Giovanni Falcone së…

Frontpage Slideshow (version 2.0.0) - Copyright © 2006-2008 by JoomlaWorks

Pëllumb dhe Nikolina Deçolli, 20 vjet kontribut për artin durrsak

  • PDF

Çifti Deçolli edhe pse në emigracion në Marconia të Materës që prej vitit 1993 kujtohen e vlerësohen në Durrës për kontributin e tyre dhënë në teatrin "Aleksandër Moisiu" dhe në shkollën e mesme artistike "Jan Kukuzeli”. Mirush Kabashi: “Pëllumb Deçolli me punën e tij nga viti 1972 deri në vitin 1993 bën pjesë te grupi i kontribuuesve të rëndësishëm në historinë 60-vjeçare të teatrit Aleksandër Moisiu"

Bashkëshortët Pëllumb dhe Nikolina Deçolli kanë shkuar këto ditë nga Marconia e Materës në Durrës për të marrë pasaportat dhe për të plotësuar dokumentacionin e pensionit, moshë së cilës po i afrohen. Në teatrin "Aleksandër Moisiu", ku Pëllumbi ka kontribuuar për 20 vjet dhe në shkollën e mesme artistike "Jan Kukuzeli" ku bashkëshortja e tij, Nikolina, ka punuar si mësuese e violës, drejtuesit, kolegët, miqtë e shokët përpiqen t'u vijnë në ndihmë dy bashkëqytetarëve artistë, veprimtaria e të cilëve i bashkohet traditës së re kulturore të qytetit të lashtë.

Kushdo që ka ndjekur sadopak jetën kulturore dhe artistike të Durrësit në vitet 1970-1980 njeh mirë Pëllumbin dhe Nikolinën, artistët e skenës, të cilët përveç kontributit 20-vjeçar përmes aktrimit dhe formacioneve orkestrale kanë punuar për përgatitjen e plot artistëve të rinj.

Nikolina, nga Durrësi në Marconia me pasionin për violën e violinën

Familja Deçolli që nga viti 1993 jeton në Marconia të Materës, në Kalabri. Megjithë vështirësitë e jetës së një familjeje emigranti, Nikolina u jep privatisht mësim studentëve të violës dhe violinës që përgatiten për provimet në konservatorin e Materës. Nuk kanë munguar as pjesëmarrjet si soliste në koncerte, apo si instrumentiste në formacionet orkestrale. "Kohët e fundit kemi dhënë shfaqje në Potenza dhe Lodi", tregon në një intervistë për ATSh-në, Nikolina Metaraku Deçolli, e cila pohon se sistemimi në një punë të përhershme në Itali është i vështirë për shkak të statusit të emigrantit jokomunitar, që nuk lejon as konkurrimin për vende të caktuara pune. Ndërsa Pëllumbi në emigracion është shkëputur plotësisht nga profesioni i aktorit.

Nikolinën e ka marrë malli për jetën artistike të shkollës dhe të pallatit të kulturës. Kujton veprimtarinë "E enjtja muzikore", së bashku me ambicjen e instrumentistëve për t'u paraqitur sa më denjësisht në koncertet që organizoheshin në sallën që sot mban emrin "Nikolin Xhoja".

Dy artistët janë njohur gjatë studimeve në Institutin e Lartë të Arteve (sot Akademia e Arteve). Ishte fillimi i viteve 1970 dhe vajzën nga Tirana, e cila që në moshën 15-vjeçare interpretonte në violë në orkestrën e Teatrit të Operas dhe Baletit, e emëruan mësuese në shkollën artistike "Mujo Ulqinaku" të Durrësit, ndërkohë që Pëllumbi nisi punën si aktor në teatrin e qytetit. Do të punonte me artistë të mëdhenj. Mes tyre edhe Nikolin Xhoja, të cilin Pëllumbi e kujton si një mjeshtër të vërtetë të skenës. "Mbaj mend skenën e "komunikatës komuniste" në zyrën e "Prefektit", ku unë luaja rolin e memecit. Nikolini ishte i jashtëzakonshëm.” thotë Pëllumbi.

Në të njëjtin plan me aktorin e madh të skenës durrsake, pedagogët e Institutit të arteve Kujtim Spahivogli e Birçe Hasko, por edhe regjisorët e teatrit "Aleksandër Moisiu" Vangjel Heba, Haxhi Rama e Mario Ashiku panë te Pëllumb Deçolli talentin dhe shkëndijat e një mjeshtri në fushën e satirës dhe humorit.

Pëllumbi, 20 vjet në skenë, nga estrada në teatër

"E kam ftuar Deçollin disa herë në shfaqjet e trupës së Estradës – dëshmon regjisori i mirënjohur Gjergj Vlashi. – Kujtoj një nga skeçet ku interpretonte përkrah Artistit të Merituar Spiro Strati, skeç, i cili u bë i famshëm për shkak të batutës së Pëllumbit: ‘Dridhe Like!’”.

Më pas Deçolli u radhit përfundimisht në trupën e teatrit dramatik, me të cilën u aktivizua në dhjetra premiera. "Një nga shfaqjet e para ka qenë "Zani partizani", ku interpretoja Seferin, shërbëtorin e beut", kujton Pëllumbi premierën e vitit 1974. Ai mban mend se kjo shfaqje u regjistrua edhe në Televizionin Shqiptar, duke shfrytëzuar rrugicat e qytetit të Beratit, por për fat të keq si edhe shumë regjistrime të tjera TV edhe "Zani partizani" ka humbur.

Në mesin e viteve 1975 Pëllumb Deçolli i bashkohet aktorëve të tjerë të planit të humorit në teatrin "Moisiu", Mirush Kabashi dhe Milto Profi, të cilët nën drejtimin e regjisorit dhe libretistit Haxhi Rama prodhojnë disa nga "xhevahiret" e skenës shqiptare.

"Kartela e verdhë" dhe disa vite më pas "Lojtari nr 10" që mbajnë firmën e autorit dhe regjisorit Rama bëhen "kali i betejës" për trupën e teatrit "Aleksandër Moisiu". "I kemi rënë Shqipërisë dy herë kryq e tërthor me "Kartelën e verdhë", duke dhënë edhe në qytete shumë të vogla dy javë shfaqje radhazi.

Tashmë Pëllumb Deçolli kishte përvojën e nevojshme për të përballuar role të rëndësishëm të dramaturgjisë kombëtare dhe botërore.

Në komedinë e Molierit "I sëmuri imagjinar", regjisori Sokrat Mio i beson rolin e Thoma Diafarysit; Haxhi Rama e aktivizon te "Mirseerdhe Elona"; Deçolli luan rolin kryesor te "Lindja e një burri" e Ruzhdi Pulahës vënë në skenë nga Enver Plaku.  "Karnavalet" dhe "Dy herë mat" janë filmat artistikë të Kinostudios "Shqipëria e re" ku Deçolli rreshtohet në kastin e aktorëve. "Komandant Lilo prej Delvine" është një nga figurat më të spikatura të kino-operetës "Karnavalet" dhe aktori nga Durrësi ka me se të krenohet, megjithëse ai vazhdon të vuajë faktin që nuk ka thuajse asgjë të regjistruar nga krijimtaria e tij.

Mirush Kabashi: Në 60-vjetorin e teatrit edhe kontributi i Deçollit

"Pëllumbi ka një predispozitë natyrale ndaj humorit dhe për të ishte shumë e lehtë të qëndronte përballë partnerëve". Mirush Kabashi, një nga aktorët, thuajse me të njëjtin stazh pune në teatrin e Durrësit, vlerëson karakteristikat aktoriale dhe aftësitë e lindura të Deçollit për satirën dhe humorin.

"Kemi luajtur shfaqje pa fund së bashku dhe unë kujtoj një nga të parat me titull ‘Ah, kjo traktoristja’” tregon Mirushi për kolegun, i cili pas largimit të vështirë drejt Italisë është shkëputur plotësisht nga profesioni i aktorit.

"Megjithatë, Pëllumb Deçolli, si shumë aktorë të tjerë, është një pjesë e rëndësishme e historisë së teatrit të qytetit tonë, një nga më dinjitozët dhe më të njohurit në shkallë vendi", insiston Mirush Kabashi, që aktualisht është pjesë e Teatrit Kombëtar në Tiranë. Sipas tij, 60-vjetori i themelimit të teatrit "Aleksandër Moisiu", më 11 janar të vitit 2013, përbën një rast shumë të mirë për të sjellë në vëmendje bashkë me historinë dhe vlerat e institucionit edhe kontributet e rëndësishme të shumë prej artistëve, të cilët pas viteve 1990 i humbën kontaktet e drejtpërdrejta me artin.

“Pëllumb Deçolli me punën e tij nga viti 1972 deri në vitin 1993 bën pjesë te grupi i kontribuuesve të rëndësishëm në historinë 60-vjeçare të teatrit Aleksandër Moisiu", përfundon Mirush Kabashi. (ATSh)

Ultimo aggiornamento Martedì 31 Luglio 2012 15:51