Robert Elsie, biri shpirtëror i Shqipërisë - Shqiptari i Italisë

Kulturë
Robert Elsie guxonte si një intelektual i lartë, e mbrojti Shqipërinë në botë, e bashkoi në veprën e Tij me Kosovën dhe Çamërinë, i dha zë Shqipërisë, të flasë anglishten e tij. Robert Elsie ishte pelegrin i tempujve të Shqipërisë, shtegtar i maleve tona, adhurues i bregdetit, qytetar i Tiranës, mik i mrekullueshëm me ne. Është nder që Shqipëria ta shpallë bir të vetin
Nga Visar ZHITI

Shuarja e albanalogut më të madh në botë, Robert Elsie, është një humbje e madhe për kulturën shqiptare, për historinë dhe për vlerat shekullore të saj, për antropologjinë, gjuhën e përkthimin, për studimet letrare e letërsinë, për kritikën letrare, për fotografinë historike, etj, etj. Robert Elsie është poliedrik, i shumëplanshëm, hulumtues pasionant, zbulues i rëndësishëm, me një Shqipëri ideale që e deshi shumë e i kushtoi jetën.

Robert Elsie, shkrimtar, përkthyes, studiues i gjuhës, kulturës dhe historisë së shqiptarëve, tema mbi të cilat ka botuar shumë vëllime, ka ndërruar jetë mëngjesin e 2 tetorit në Bonn të Gjermanisë. Ishte 67 e kish lindur në Vancouver të Kanadasë

Robert Elsie guxonte si një intelektual i lartë, ai e mbrojti Shqipërinë në botë, “Çështjen Shqiptare” dhe e bashkoi në veprën e Tij me Kosovën dhe Çamërinë, pa u tërhequr nga kërcënimet ballkanike e mosmirënjohja dhe i dha zë Shqipërisë, të flasë anglishten e tij.

Ai dukej sikur e deshi çdo shqiptar dhe bëri për ta, i mbështeti kudo, deri dhe në Tribunalin e Hagës, botoi antologji shqiptare, folklor, poetë nga të gjitha trevat, tregime, romane, nga letërsia jonë e ndaluar e shkrimtarët e burgosur, studime, albume, guida, etj, etj, deri dhe te botimi i “Lahutës së Malcisë” së Fishtës në anglisht, një kryepunë duke arritur kështu, siç thotë dhe vetë, të përplotësonte eposin europian. Kështu bëri dhe me Kanunin e lashtë të shqiptarëve, të Lek Dukagjinit.

Pelegrin i tempujve të Shqipërisë, shtegtar i maleve tona, adhurues i bregdetit, qytetar i Tiranës, mik i mrekullueshëm me ne. Mungesën e Tij të dhimbëshme e mbush vepra e Tij e madhe, sa enciklopedike, po aq dhe akademi e shkollë, rilindase dhe moderne, e qëndrueshme dhe frymëzuese për vazhdimësi. Është nder që Shqipëria ta shpallë bir të vetin dhe ta mbajë si të tillë.