Si lindin dhe vdesin gjuhët - Pjesa II - Shqiptari i Italisë

Kulturë
30 shtatori është Festa ndërkombëtare e përkthyesit, “lënda e parë” e të cilit është gjuha. E kur flasim për gjuhën, natyrshëm lindin pyetje si: “Pse kemi filluar të flasim?”, “Si lind një gjuhë dhe si vdes ajo?”, “Si evoluojnë gjuhët?”, “E mbi të gjitha, a mund të ngjallet sërish një gjuhë e vdekur?”
Nga Gino LUKA - Pjesa e dytë

Një larmi e bezdisshme

Deri vonë, shumëllojshmëria gjuhësore është konsideruar si një element negativ, një lloj “mallkimi” që në një farë mënyre duhej të hiqej, sipas mitit biblik të Kullës së Babelit, se njerëzimi u ndëshkua pikërisht me humbjen e gjuhës origjinare, për përpjekjen që bëri për të arritur qiellin. Mendohet se është e kundërta, teksti biblik është keqinterpretuar: në fakt është Zoti që mbron larminë e shumëllojshmërinë, që për Të janë të shenjta.

Me pak fjalë, sipas teksteve antike, mbreti Asur pohon se: “Ka harmoni kur të gjithë janë dakord me mua”; “vetëm një gojë” do të thotë pra se të gjithë jemi dakord me fuqinë qendrore. Përkthimi tjetër më i zakonshëm “vetëm një gjuhë”, “vetëm një mënyrë të foluri” nuk gjen mbështetje në asnjë tekst, (as në tekstet paralele akadike…)

Në qoftë se pranojmë hipotezën e Prof. Uehlinger Chr., tregimi te Gjeneza 11, 1-9 përshkruan krijimin e një perandorie. Shkruesi i kësaj pjese, për të shpjeguar atë çfarë kishte ndërmend, ka përdorur simbolet e kohës, kryesisht akadike, që e kanë prejardhjen nga Mesopotamia:

«Kanë dashur të krijojnë një perandori të gjithësishme ku nuk është se duhej të përdorej “vetëm një gjuhë”, por të mbahej “vetëm një fjalim”, ku të gjithë duhej ta pranonin “njëzëri”, “unanimisht”. Gjithashtu kanë ndërtuar vetëm një qytet me një kullë, që është simboli i perandorisë, “për të bërë emër”, “për ta bërë të pavdekshme famën e tyre”. Kjo do të thotë se kanë dashur të krijojnë një perandori globale e kjo do të ishte lindja e imperializmit global. Një imperializëm universal që kishte ndërmend të eliminonte shumëllojshmërinë e gjuhëve e të kulturave të popujve. Ky ishte pra qëllimi, prandaj Zoti e ka ndaluar... ».

Nga shekulli i 16-të, u fillua të mendohej seriozisht në lidhje me mundësinë për të shpikur një gjuhë të vetme artificiale për të gjithë njerëzit, në mënyrë që të eliminohej të paktën njëra nga arsyet e moskuptimit ndërmjet kombeve. Një ndër të parët qe filozofi Francesco Bacone (shekulli i 16-17-të). Deri në fillim të shekullit të 19-të, ideja u ringjall nga mendimtarët e shquar si Giovanni Comenio (shekulli i 17-të) dhe Gottfried W. Leibniz (shekulli i 17-18të). Megjithëse ishin të thjeshta dhe logjike në fillim, sistemet u sofistikuan, u bënë të ndërlikuara dhe të mundimshme për t’u mësuar dora-dorës që zhvilloheshin. Nga mesi i shekullit të 19-të u bë një tentativë tjetër: gjuhët artificiale filluan të krijohen duke modifikuar një ose më shumë gjuhë ekzistuese. Në këtë mënyrë lindën gjuhë të tilla si volapük, idiom neutral, ido dhe disa gjuhë të tjera ndër të cilat edhe një gjuhë e rëndësishme si basic english që u shpik në vitin 1930 nga studiuesi Charles Kay Ogden (shek. i 19-20-të).

Studiues dhe linguistë vazhdojnë të shpikin fjalë dhe gramatika duke krijuar kështu gjuhë artificiale. Për lojë ose si shfrim i fantazisë apo për të përmirësuar komunikimin midis popujve, të gjitha këto gjuhë së shpejti u braktisën në favor të Esperantos.

Një përpjekje e famshme

Shpikësi i esperantos ka qenë një djalë 15-vjeçar polak, Ludwig Lazarus Zamenhof, (1859 -1917). Ideja e një gjuhe artificiale të folur nga të gjithë i erdhi ndërmend Ludwig-ut, sepse ambienti në të cilin ai jetonte ishte i pasur me shumë gjuhë. Në shtëpi fliste rusisht, jashtë shtëpisë ai kishte kontakte me gjuhën jidish (gjuha e folur nga hebrenjtë në Evropën qendrore dhe Lindore), polonishten dhe hebraishten. Në shkollë studioi frëngjisht dhe gjermanisht si gjuhë moderne, greqisht dhe latinisht si gjuhë antike. Duke kultivuar vazhdimisht pasionin e tij, Zamenhof arriti të botojë gramatikën e parë të gjuhës së tij në vitin 1887. Ai e firmosi atë me emrin Doktor Esperanto (Doktor shpresëtar) dhe që atëherë shpikja e tij u quajt Esperanto.

Esperantoja e Zamenhof-it ka një shqiptim shumë të thjeshtë, një gramatikë të lehtë dhe të qartë dhe një fjalor të kufizuar prej rreth 8,000 fjalësh që mund të kombinohen me njëra-tjetrën. Për shembull: ka vetëm një nyjë, la, dhe vlen për të gjithë gjinitë dhe numrat. Të gjithë emrat kanë mbaresën o, gjinia femërore formohet me prapashtesën in, të gjithë shumësat formohen duke shtuar mbaresën j. Për shembull, vëllai thuhet la frato; vëllezërit la fratoj. E njëjta gjë vlen për, motra la fratino, motrat la fratinoj. Me pak fjalë, një lojë gjuhësore e pasur me surpriza.

Ashtu siç shkruan D. Russo në një artikull për Enciklopedinë italiane të të rinjve: Nisma e Zamenhof-it menjëherë pati njëfarë suksesi dhe sot është dëshmia më e rëndësishme e mbijetesës së një gjuhe artificiale. Në fakt ajo kultivohet akoma sot e kësaj dite në vende të ndryshme, ka shumë të pasionuar dhe praktikues të aftë që janë në gjendje të shkruajnë vepra letrare në esperanto dhe madje është promovuar si lëndë studimi në universitet.

Atëherë pra, dëshira e atij djalit inteligjent polak që shpiku një gjuhë për të gjithë, është duke u bërë  realitet? Pra “mallkimi” i Kullës së Babelit nuk ekziston më? Në fakt nuk është vërtetuar ajo që shpresonte Zamenhof. Megjithatë, esperanto është një gjuhë kurioze dhe interesante, dhe është veçanërisht e rëndësishme sepse, ashtu siç ndodhi në kohën e Bacon-it ose të Leibniz-it, ajo ka lindur nga një ide shumë fisnike: të bashkojë të gjithë popujt e Botës në një popull të vetëm ku të gjithë të mund të ndjehen me të vërtetë fratinoj e fratoj.

Cili është dallimi mes gjuhëve natyrale dhe gjuhëve artificiale?

Një gjuhë artificiale është një gjuhë e krijuar “nga tryeza” për qëllime të ndryshme: komunikim ndërmjet njerëzve që flasin gjuhë të ndryshme natyrale, për qëllime logjike-filozofike (për të shpjeguar më mirë konceptet e filozofisë) ashtu siç është përpjekja e filozofit gjerman Leibniz në Shekullin e 17-të, për lojë (për zbavitje, për argëtim), si disa autorë që kanë shpikur gjuhë imagjinare të cilat më pas kanë hyrë në romanet ose telefilmat e tyre, si p.sh. gjuha Klingon në filmin Star Trek. Klingon ka madje një Institutit që e promovon atë, ka libra të përkthyer në këtë gjuhë dhe metoda për ta mësuar atë.

Gjuha Na'vi është një gjuhë tjetër artificiale e krijuar për filmin Avatar. Kjo gjuhë flitet nga Na'vi, një racë njerëzish indigjenë që banon në Pandora, hëna e pestë e Polyphemus-it, në film. Është krijuar nga Paul Frommer.

Disa gjuhë artificiale shpiken nga e para pa asnjë bazë; të tjerat kanë si bazë gjuhët natyrale, si rasti i esperantos që është zhvilluar artificialisht por duke u bazuar në elementet leksikore dhe strukturore ekzistuese të gjuhëve të ndryshme natyrale.

Gjuhët artificiale lindin në një studio:

A thua se mbi 7.000 gjuhët natyrale nuk janë të mjaftueshme; ka nga ata që ndjejnë nevojën për të shpikur gjuhë të reja.

Një gjuhë artificiale është një gjuhë e krijuar nga ndërgjegjja e vetëdijshme që i atribuohet një personi të vetëm ose një grupi pune që zhvillon qëllimisht fonologjinë, gramatikën dhe fjalorin (në rastin e gjuhëve ndihmëse, megjithatë, fjalori rrjedh nga ai i gjuhëve më të përhapura natyrale).

Dallimi kryesor ndërmjet gjuhëve artificiale dhe gjuhëve natyrale qëndron në faktin se fillimisht gjuhët artificiale nuk janë zhvilluar dhe afirmuar spontanisht në kulturat njerëzore.

Disa gjuhë artificiale janë ndërtuar për t'u përdorur në komunikimin njerëzor sidomos për përdorim si gjuhë ndërkombëtare ndihmëse, por të tjerat janë krijuar për përdorim në kinematografi, për eksperimentim gjuhësor, zhvillim të kodeve sekrete ose thjesht si kalim kohe. Kategoria e fundit mund të ndahet më tej midis gjuhëve që përdoren për të përfaqësuar një botë fantastike e artistike, ose thjeshtë si një lojë.

“Gjuhë e planifikuar” nganjëherë përdoret në lidhje me gjuhët ndihmëse ndërkombëtare, veçanërisht për ata që refuzojnë termin më të zakonshëm “artificial”. Disa folës të esperantos, për shembull, e shmangin këtë term sepse ata mendojnë se shpreh një aspekt “të panatyrshëm” të komunikimit të kësaj gjuhe: “Esperanto është një gjuhë artificiale ashtu siç është vetura një kalë artificial”. Megjithatë, jashtë komunitetit të esperantistëve, termi planifikim gjuhësor i referohet masave normative të marra kundrejt një gjuhe natyrale. Në këtë rast, madje edhe në “gjuhët natyrale” ka një sasi të caktuar artificialiteti dhe, në rastin e gramatikave të rregulluara, kufiri ndërmjet gjuhëve natyrale dhe artificiale është shpesh shumë i ngushtë.

 

Vijon