70 vjet Vespa, motoçikleta e kthyer në legjendë - Shqiptari i Italisë

Lifestyle
Mbi 18 milionë të shitura në të katër anët e botës

Milano 23 prill 2016 - Simbol i “dolce vita”-s, “Vespa”, feston sot 70-vjetorin e krijimit të saj, pa e ndier aspak peshën e moshës.

Kur Enrico Piaggio, më 23 prill 1946 depozitoi patentën e ”Vespës” në Firence, pikësynimi i tij ishte të rimëkëmbte sipërmarrjen, asokohe e specializuar në teknologjinë e avionëve e cila u dëmtua rëndë nga sulmet ajrore në Luftën e Dytë Botërore. Ai i kërkoi një prej inxhinierëve të tij, Corradino D’Ascanio, krijimin e një mjeti të thjeshtë në prodhimin dhe me çmim të arsyeshëm.

Me një pamje të veçantë në formën e grerëzës nga e cila është frymëzuar, e famshmja me dy rrota ka nxjerrë në shitje prej fillimeve të saj më shumë se 18 milionë ekzemplarë, referuar kompanisë Piaggio që e prodhon. Motoçikleta më e famshme e të gjithë kohërave ka trefishuar shitjet në 10 vitet e fundit, për të arritur në 170 mijë të shitura  vetëm gjatë vitit të shkuar.

Suksesi i Vespës u pa menjëherë, por shtysën më të fortë për ta bërë atë të njohur në mbarë botën ia dha kinematografia. Simone Signoret, Anthony Quinn, Kirk Douglas, Domenico Modugno, Alberto Sordi e Aldo Fabrizi, hipin shpesh mbi Vespa, jo vetëm pse ajo është në modë, por sespe pëlqehet jashtëzakonisht shumë.

Të gjithë regjisorët amerikanë që bëjnë filma të ambientuar në vitet ’50 dëshirojnë të kenë patjetër ndonjë skenë me një Vespa: ndër më të famshmit, “Pushime romake”, në të cilin Gregory Peck e Audrey Hepburn janë shpesh mbi motoçikletën e famshme. Shumë më vonë, është e famshme xhiroja e Romës që Nanni Morettin bën me Vespën e tij “I dashur ditar”.