8 gjëra që duhen ditur mbi “Panama Papers” - Shqiptari i Italisë

Lifestyle
Panama Papers janë një rrjedhje e paprecedentë e 11,5 milionë dokumenteve nga të dhënat e kompanisë së katërt më të madhe ligjore në botë, Mossack Fonseca.

Gazeta gjermane “Süddeutsche Zeitung” ka siguruar të dhënat nga një burim anonim. Gazeta ia kaloi më pas Konsorciumit Ndërkombëtar të Gazetarëve Invetigativë (ICIJ). Kjo e fundit i shpërndau më pas në rrjetin e madh të partnerëve ndërkombëtarë, përfshirë BBC dhe The Guardian.

Dy mediat britanike sjellin edhe një udhëzues që shpjegon se çfarë janë këto dokumente, kush janë të përfshirë dhe skema e ndjekur: 

Çfarë zbulojnë këto dokumente?

Dokumentet tregojnë mënyrën sesi të pasurit mund të mënjanojnë në mënyrë sekrete taksat. 143 politikanë nga e gjithë bota, familjarët e tyre dhe bashkëpunëtorë të afërt, janë të përfshirë në këtë aferë. Këto dokumenta tregojnë se si kjo studio ndërkombëtare, e specializuar në zona të ashtuquajtura si “parajsa fiskale”, ka ndihmuar klientët e saj VIP në aktivitete të paligjshme, si pastrimi i parave apo evazioni fiskal.

Plot 2 miliardë dollarë e kanë origjinën tek Vladimir Putin. Miku i ngushtë i Presidentit rus, një violinçelist i quajtur Sergei Roldugin, është në qendër të kësaj skeme, ku para nga bankat shtetërore të Rusisë rezultojnë të fshehura jashtë vendit. Disa prej tyre e kanë fundit në një rezort skie, ku në 2013 – ën, u martuar vajza e Putin, Katerina.

Në mesin e liderëve botërorë që kanë përdorur këto parajsa fiskale janë; Kryeministri i Pakistanit Nawaz Sharif, ish – kryeministri i përkohshëm Ayad Allawi, ish – Zëvendëspresidenti i Irak, Presidenti Ukrainës, Petro Poroshenko, Alaa Mubarak, djali i ish – Presidentit egjiptian dhe Kryeministri i Islandës, Sigmundur Davíð Gunnlaugsson.

Çfarë është Mossack Fonseca?

Është një firmë ligjore me bazë në Panama, shërbimet e së cilës përfshijnë inkorporimin e kompanive me jurisdiksion të huaj, të tilla si ishujt britanikë Virxhin. Administron kompani të huaja kundrejt një pagese vjetore. Shërbime të tjera përfshijë menaxhim të pasurisë.

Në ç’vende vepron kompania?

Kompania është nga Panama, por operon në të gjithë botën. Website i saj tregon për një rrjet global me 600 punonjës nga e gjithë bota dhe degë në 42 vende që operojnë për gjetjen e klientëve të rinj dhe kanë të drejta ekskluzive për të përdorur markat e saj. Mossack Fonseca operon në parajsa fiskale, përfshirë Zvicrën, Qipron dhe Ishujt Britanikë Virxhin, si dhe në vende në varësi të Mbretërisë së Bashkuar, si Guernsey, Jersey dhe ishulli Man.

E çfarë niveli është kompania?

Mossack Fonseca është një ndër 4 kompanitë më të mëdha në botë, që ofron shërbime jashtë vendit. Ka operuar për më shumë se 300 mijë kompani. Ka lidhje të forta me Britaninë. Më shumë se gjysma e kompanive janë të regjistruar nën administrimin britanik të parajsave fiskale.

Sa të dhëna kanë rrjedhur?

Shumë. Rrjedhja është një ndër më të mëdhatë të ndodhura ndonjëherë më parë, më të mëdha se kabllogramet e diplomatëve amerikanë të publikuara në 2010 nga WikiLeaks dhe dokumentet sekrete të inteligjencës të dhëna gazetarëve nga Edward Snoëden në 2013-tën. Janë 11,5 milionë dokumente dhe 2,6 terabyte informacionet e marra nga database i brendshëm i Mossack Fonseca.

Janë të gjithë ata që përdorin parajsat fiskale hajdutë?

Jo. Përdorimi i kësaj strukture është totalisht i ligjshëm. Ekzistojnë arsye të shumta se përse përdoren. Njerëz të biznesit nga vende si Rusia apo Ukraina zakonisht i çojnë asetet e tyre jashtë vendit për t’u mbrotjur nga “sulme” kriminale dhe shmangien e kufizimit të monedhave. Të tjerë i përdorin për arsye që lidhen me trashëgiminë dhe planifikim pronash.

Janë disa prej këtyre personave që përdorin këto parajsa fiskale kriminelë?

Po. Në një fjalim të mbajtur vitin e shkuar në Singapor, Kryeministri britanik David Cameron tha se, të korruptuarit, kriminelët, dhe ata që pastrojnë paratë, përfitojnë nga strukturat e kompanive anonime. Qeveria po përpiqet të bëjë diçka rreth kësaj. Dëshiron të krijojë një regjistër qendror që do të zbulojë ata pronarët që përfitojnë nga kompanitë e huaja.

Çfarë thotë Mossack Fonseca për rrjedhjen e këtyre dokumenteve?

Firma nuk pranon të diskutojë raste specifike për dyshimet për abuzime nga ana e saj, duke përdorur konfidencialitetin ndaj klientit. Por mbron me forcë sjelljen e saj. Mossack Fonseca thotë se zbaton ligjet kundër pastrimit të parave dhe kryen kontrolle të herë pas herëshme tek të gjithë klientët e saj. Thotë se i vjen keq për çdo keqpërdorim të shërbimeve të saj dhe se përpiqet në mënyrë të vazhdueshme që ta parandalojë një gjë të tillë. Kompania thotë se nuk mund të fajësohet për dështimet e ndërmjetësuesve, ku përfshihen bankat, firmat ligjore, studio të ndryshme, etj.