Ada e Velipojës, kampione e Shqipërisë në futbollin për femra - Shqiptari i Italisë

Lifestyle
Me ndeshjen mes Adës së Velipojës dhe Juban Danjës, të zhvilluar pasditen e së shtunës në stadiumin "Loro Boriçi" të Shkodrës, mbyllet kampionati shqiptar i futbollit për femra. Shpallet kampione e Shqipërisë skuadra Ada e Velipojës

Tiranë, 15 prill 2012 – Ndeshja mes Adës së Velipojës dhe Juban Danjës së Shkodrës, e zhvilluar pasditen e së shtunës në stadiumin "Loro Boriçi" të Shkodrës, shënoi përfundimin e Kampionatit Kombëtar të Futbollit për femra.

Pavarësisht nga rezultati i ballafaqimit të fundit, Ada e Velipojës vinte në këtë ndeshje si skuadra kampione e Shqipërisë për sezonin 2011-2012, titull që e kishte siguruar që javën e kaluar, kur pas fitores me rezultatin 4 me 1 ndaj ekipit The Door krijoi diferencën prej 5 pikësh ndaj rivaleve të saj. 

Pas një pjese të parë në baraspeshë me rezultatin 1 me 1, në përfundim, fitorja i buzëqeshi futbollisteve të Velipojës me rezultatin 3 me 2. Me këtë rezultat, Ada e Velipojës, e drejtuar nga trajneri Fatmir Axhani e thellon edhe më tepër diferencën me rivalen e saj, Juban Danja, duke u kurorëzuar me titullin kampion, i cili në historinë tre vjeçare të futbollit të femrave, është i dyti radhazi, ndërkohë që titullin e parë e ka fituar skuadra bardheblu Tirana AS. 

Në përfundim të ndeshjes, u zhvillua edhe ceremonia e mbylljes së kampionatit, ku përfaqësuesi i Federatës Shqiptare të Futbollit, Abdyl Kuriu, i dorëzoi kapitenes së Adës, trofeun e kampionatit të tretë kombëtar të futbollit për femra. Gjatë këtij kampionati Ada ka arritur 13 fitore dhe vetëm 1 barazim, ka shënuar 81 gola e ka marrë vetëm 10. (ATSh)