“Amnistia” e Alimanit në kinemanë e Muzeut të Artit Modern në Nju Jork - Shqiptari i Italisë

Lifestyle

Do të shfaqet në MoMa në datat 14-20 janar

Tiranë, 9 janar 2012 – Filmi shqiptar “Amnistia” i Bujar Alimanit do të niset drejt New York për t’u shfaqur në kinemanë Muzeut të Artit Modern, MoMa.

Kompania distributore, Global Lens nisi negociatat për blerjen filmit “Amnistia”, në muajin gusht 2011, pas projeksionit të filmit në Kanada.

“Amnistia” ka fituar çmim në Berlinale, në Lisbonë, tre çmime në Lecce, ka marrë pjesë në Festivalin Ndërkombëtar në Kopenhagen dhe është përzgjedhur si kandidatura e Shqipërisë për çmimet Oscar.

Filmi me regji dhe skenar të Bujar Alimanit ka si protagonistë të tij aktorë të njohur si: Luli Bitri, Karafil Shena, Todi Llupi, Mirela Naska, Omer Hamitaj, Orest Arapaj etj. Filmi është prodhuar nga Qendra Kombëtare Kinematografike me partnerë Greqinë dhe Francën dhe ka shënuar një rekord për kohën tre mujore të xhirimeve të tij në fund të muajit shtator 2010 në Tiranë dhe Pogradec. 
Historia e një burri dhe një gruaje të cilët takohen një ditë gjatë rrjedhës së jetës së tyre të mërzitshme dhe dashurohen ndërsa dy bashkëshortët e tyre të dënuar në burg presin të marrin amnistinë, do të shfaqet në datat 14-20 janar.