Bashkëjetesë apo martesë, kjo është çështja - Shqiptari i Italisë

Lifestyle
Sipas psikologut Edmond Dragoti, në Shqipëri bashkëjetesa është ende një model i brishtë e stilit të jetesës, sepse ende nuk është pranuar plotësisht nga brezi i ri. Pëlqehet nga të rinjtë veçanërisht në Tiranë, por ka kundër paragjykimet e shoqërisë dhe familjet që nxisin fëmijët e tyre drejt lidhjeve tradicionale martesore

Prej vitesh tashmë në Shqipëri institucioni i martesës ka një konkurente të fortë që është bashkëjetesa, një formë alternative e stilit të jetesës në çift. Bashkëjetesat nuk janë akoma në shifra të larta, por gjithsesi është një dukuri që nuk mund të shpërfillet më dhe ka tendencë të rritet.

Ashtu si shumë tendenca të reja, që u futën dhe u përshtatën në Shqipëri pas viteve ’90, edhe bashkëjetesa filloi të zgjidhej si një mënyrë për të njohur më mirë partnerin përpara se lidhja e tyre të kalonte në detyrime ligjore. Por, sipas sociologëve kjo alternativë jetese, jo tradicionale për Shqipërinë, mbetet ende në fazat e saj të para në vendin tonë.

Sipas psikologut Edmond Dragoti, në vendin tonë bashkëjetesa është ende një model i brishtë e stilit të jetesës, sepse ende nuk është pranuar plotësisht nga brezi i ri. “Në Shqipëri bashkëjetesa është ende në fazën e saj të parë dhe akoma nuk mund të themi nëse do të rezistojë gjatë. Ajo është në provë që kushtëzohet edhe nga shumë faktorë të tjerë”, tha Dragoti.

Sikundër për shumë dukuri sociale edhe në rastin e zgjedhjes së një çifti për të bashkëjetuar nuk mund të mungonin paragjykimet nga shoqëria, madje dhe nga familja që i nxit fëmijët e tyre drejt një lidhjeje në çift tradicionale, pra martesës.

Që pas viteve ’90, ende edhe sot, sipas Dragotit, bashkëjetesa e çifteve është e pranishme kryesisht në Tiranë, kjo jo vetëm për shkak të një shoqërie më të hapur se në zonat rurale, por edhe sepse shkalla e identitetit personal është më e spikatur.

 “Prania e një numri të madh të qytetarëve ka bërë që njerëzit ta njohin njëri-tjetrin më pak dhe të aplikohen forma të tilla alternative si bashkëjetesa”, tha Dragoti.

Por, edhe për ato çifte që e kanë kapërcyer murin e paragjykimeve nuk është e lehtë të ndërtojnë bashkëjetesën. Elementë të rëndësishëm që janë të domosdoshëm për të jetuar në çift si të ardhurat, strehimi, jetesa e pavaruar nga familja janë të vështira për t’u arritur.

E.M (27 vjeçe) dhe A.S (30 vjeç) nga Lushnja, janë një çift të rinjsh të cilët kanë vendosur që të ndajnë përditshmërinë që prej 4 vitesh në Tiranë. Pas dy vitesh njohjeje ata vendosën të bashkëjetojnë si një mënyrë më e lehtë për të përballuar jetesën e shtrenjtë të kryeqytetit, por përsëri nuk e kanë të lehtë. Të dy të rinjtë punojnë, njëri në bankë dhe tjetri në një televizion privat.

“Bashkëjetesa ishte e vetmja rrugë për të jetuar në Tiranë. Këtu gjetëm punë dhe nuk ishte e lehtë të jetonim vetëm por, edhe pse jemi bashkë përsëri hasim vështirësi ekonomike”, shprehet E.M.

Përpara se çifti të bashkëjetonte ata ishin më të qetë duke shijuar plotësisht pasionin e tyre të dashurisë, por që kur iu desh të jetonin bashkë nuk e mohojnë se janë grindur disa herë. “Na duhet jo vetëm të përshtatemi, por edhe të tolerojmë njëri-tjetrin. Në fund të fundit më shumë se gjithçka është dashuria që na mban bashkë”, tha E.M.

Edmond Dragoti e përkufizon bashkëjetesën si një fazë paraprake të njohjes së partnerit për të kuptuar më pas nëse marrëdhënia mund të zhvillohet më tej tek kontrata martesore. “Martesa është vetëm një letër, ai është burri im dhe unë jam gruaja e tij. Për ne bashkëjetesa nuk ka ndonjë ndryshim nga martesa”, tha E.M.

Me kalimin e viteve numri i të rinjve që vendosin të bashkëjetojnë është rritur. Ata që më shumë e provojnë këtë eksperiencë janë studentët që jetojnë në Tiranë, larg familjeve të tyre.

Sipas studimeve gjysma e çifteve që bashkëjetojnë shpresojnë të martohen një ditë me bashkëjetuesin dhe në fakt shumica e rasteve të bashkëjetesës përfundojnë me martesë. Por nuk mungojnë rastet kur ajo është një provë që nuk kalohet nga çiftet dhe që më pas, kryesisht për vajzat mbetet një objekt gjykimi.

Ndërkohë që në shumë shtete të botës bashkëjetesa është një praktikë normale dhe shumica dërrmuese e martesave kanë provuar më parë përvojën e bashkëjetesës, në Shqipëri nuk ka një traditë të tillë. “Është një formë e re që në kushtet e sotme nuk është e lehtë për t’u aplikuar për shkak të vështirësive të punësimit dhe jetesës të pavarur nga prindërit”, shprehet Dragoti.

Sipas tij, edhe pse bashkëjetesa në Shqipëri janë një formë e re për të njohur partnerin, përsëri ato zgjasin shumë pak. Bashkëjetesa është faza e njohjes, siç e përkufizojnë të rinjtë, një fazë përgatitore për të krijuar familje. Megjithatë bashkëjetesa nuk është gjithmonë provë e një martese të sukseshme, të rinjtë vazhdojnë ta konsiderojnë si një mënyrë për të provuar ndarjen e përgjegjësive.

Albana Jonuzi, studente në Fakultetin  Ekonomik e përkufizon bashkëjetesën si një provë jo vetëm të jetesës së përbashkët dhe ndarjes së detyrimeve, por edhe si një provë të dashurisë. “Sipas meje përpara se të marr një vendim të rëndësishëm që ka kosto në jetën time, siç është martesa, dashuria duhet të kalojë disa prova dhe një ndër to është edhe bashkëjetesa”, u shpreh ajo.

Debati mes martesës dhe bashkëjetesës do të vazhdojë për sa kohë që prindërit u këshillojnë apo imponojnë fëmijëve të tyre një marrëdhënie që përfundon në martesë, një firmë që sipas tyre i jep më shumë siguri dhe të rinjve që çdo ditë e më shumë e përkrahin këtë alternativë jetese. (ATSh)