Birçe Hasko, mjeshtri i karaktereve, feston 70-vjetorin - Shqiptari i Italisë

Lifestyle
Birçe Hasko është mjeshtri i karaktereve…! Vështirë të mos mbash mend tellallin te “Koncert në vitin 1936”, partizanin Mete Aliu te “Radiostacioni”, fshatarin te “Kthimi i ushtrisë së vdekur”, ballistin në “Kur zbardhi një ditë”. Sot mbush 70 vjeç dhe kolegë e miq i kanë festuar ditëlindjen në Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit

Tiranë, 15 mars 2012 –Mjeshtri i artit skenik, profesori i disa brezave aktorësh, aktori Birçe Hasko mbush sot plot 70 vjeç, gjatë 43 prej të cilëve ka kontribuuar duke i dhënë publikut role të spikatur që mbahen mend. Brezi i ri i aktorëve e konsideron si një model të admirueshëm, ndërsa ish-studentët e tij, sot kolegë, jo vetëm artist të talentuar, por edhe mik të mirë, me një karakter të veçantë që reflekton pozitivistet, ndaj të gjithë bashkë kanë qenë sot të pranishëm në ceremoninë që Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit, AQShF, organizoi në mjediset e tij.

Birçe Hasko u shpreh se ndihej borxhli ndaj kolegëve dhe se do të vazhdojë të kontribuojë deri në fund të jetës së tij, duke shprehur në të njëjtën kohë emocionet për festimin që AQSHF, organizoi për të në prani të miqve, kolegëve dhe studentëve të tij. “Jam tepër i emocionuar dhe kam të drejtë të jem”, tha Hasko.

Ai mbahet mend si Osmani tek “Malet me blerim mbuluar”, daja tek “Vjen një ditë”, plaku i sertë tek “Përrallë nga e kaluara”, shef Nesimi tek “Zëdhënësi i grave”, Xhafa tek “Fletë të bardha”, çifuti tek “I dashur armik”, etj.

Ish-studenti i tij, Rektori i Akademisë së Arteve, Petrit Malaj, tha se gjatë më shumë se 30 viteve, aktorët kanë marrë shumë prej tij dhe këtë gjë përpiqen ta reflektojnë. “Në fakt ka kohë që ne e thërrasim mjeshtër. Modeli perfekt: pedagogu, prindi, miku i sinqertë, mjeshtri i profesionit”, është shprehuer Malaj.

Roli i tij i parë në kinematografi është ai në vitin 1971, ballisti në filmin “Kur zbardhi një ditë”  i regjisorit Piro Milkani. “Ballisti në filmin “Kur zbardhi një ditë” ka qenë roli im i parë. Piro Milkani është regjisori i parë që më ka hapur rrugën e bukur të kinemasë. Më pas jeta ime artistike vijoi dhe me filma të tjerë, por dhe në interpretime në teatër”, është shprehur Birçe Hasko.
Ndërsa roli i tij i fundit është ai në  filmin “Kronikë Provinciale” në vitin 2009. “Nuk shkoja për të kërkuar role, por më kanë kërkuar”, ka thënë Hasko.

Që nga viti 1969 punon si pedagog, profesion që ia propozuan që pas mbarimit të shkollës me rezultate të mirë, por vitin e parë nuk e lanë. Erdhi në Institutin e Arteve një vit më vonë dhe që atë vazhdon edhe sot në moshën 70-vjeçare, duke dhënë lëndën e Mjeshtërisë së Aktorit e duke nxjerrë me dhjetëra e qindra aktorë.

Aktori Mevlan Shanaj është shprehur se Birçe Hasko vepron dhe krijon me inteligjencë, në mënyrë të lehtë dhe jetëgjatë, asnjëherë i njëjtë dhe përherë shënon. “Nuk ka regjisor që nuk dëshiron Birçe Haskon në grupin ne tij të xhirimit, jo vetëm për aftësinë krijuese, por për burrërinë e tij. Një njeri që di të gjendet në çastin që duhet”, ka thënë Shanaj.
Birçe Hasko u lind në Dukat të Vlorës, në 15 mars 1942. Mbas mbarimit të shkollës së mesme pedagogjike “Jani Minga” në Vlorë, gjatë viteve 1957-1961, punon si mësues në shkollën 7-vjeçare në Memaliaj. Aty angazhohet me trupën e Estradës amatore të qytetit. “Shkolla e lartë për aktor ishte çelur në ’59-ën, por nëpër rrethe nuk kishin njohuri për aktrim. Edhe unë vetë nuk i kisha njohuritë e duhura. Një inxhinier, që kishte mbaruar shkollën në Poloni, më shikon në një shfaqe në Memaliaj dhe me një komposto në dorë më thotë: ‘Merre këtë dhe kam një sugjerim, duhet të vazhdosh shkollën për aktor”. As nuk e mendoja se do të kisha talent. Erdha, konkurrova, meqë më tha ai, dhe fitova”, është shprehur Hasko.

Edhe pse shkëlqimin e pati në filmin artistic, si aktor fillimet i ka në teatër. Ka interpretuar  katër pjesë në Teatrin Kombëtar, “Shtëpia me dy porta” (Abaz Kola), “Familja e peshkatarit” (Shazo), “Tiranozauri” (Kalebi), “Mysafiri i mallkuar” (Ministri). Nga teatri, i paharruar mbetet roli i Milo Tafanit në komedinë “Shi në plazh” , shkruar nga Teodor Laço. Me rolin e fundit në skenën e teatrit “Bylis” ka interpretuar gjithsej mbi 12 role, por i shtojmë këtu edhe 27 pjesë të tjera të vëna me studentët si pedagog-regjisor.

“Shqipëria për mua ka aktorë të shkëlqyer dhe këtë e them më shpirt të pastër. Çdo komb, veçanërisht vendet e vogla nuk mund të mburren as me ushtrinë, as me ekonominë, por mund të munden vetëm me artin e tyre, sepse komb është individualitet në art”, ka deklaruar Hasko.

Në vitin 1976 Hasko vlerësohet me urdhri “Naim Frashëri” të klasit të dytë, në vitin 1988 merr titullin e lartë “Artist i Merituar”. Në vitin 2002 merr titullin “Mjeshtër i Madh”, nga Presidenti i Republikës dhe po këtë vit shpallet “Qytetar Nderi” i Orikumit.