Çmimi Carlo Levi për shkrimtarin e madh Dritëro Agolli - Shqiptari i Italisë

Lifestyle
Sapo ka festuar 82-vjetorin e lindjes, e para pak ditëve është nderuar në Itali me çmimin letrar. Çmimin e ka tërhequr e bija që ka lexuar një letër falënderimi të Agollit me të cilën ai shprehte “kënaqësi të madhe për çmimin që mban emrin e Carlo Levit, piktorit, publicistit dhe shkrimtarit të shquar, luftëtarit Antifashist dhe ëndërrimtarit për  një botë të re pa varfëri, padrejtësi shoqërore dhe pa luftra. Sikur të ndodhte një mrekulli që Carlo Levi të më shtrëngonte dorën, vetëm kjo gjë do të ishte çmimi më i madh që do të merrja ndonjëherë”

Tiranë, 14 tetor 2013 - Shkrimtari Dritëro Agolli ka festuar dje 82 vjetorin e lindjes. Këtë vit, urimeve të ditëlindjes i shtohen dhe ato për çmimin ‘Carlo Levi’ që mori në Itali para disa ditësh.

Në edicionin e tij të 16-të të Çmimit Kombëtar për Letërsinë Carlo Levi” u shpallën fitues autori shqiptar Dritëro Agolli, autorët italianë, Guido Conti dhe Enzo Vinicio Alliegro, si dhe francezi Andre Vauchez.

Çmimi u shoqërua me motivacionin “Poet, gazetar dhe shkrimtar, ngushtësisht i lidhur me traditën dhe rrënjët e tij nga vendlindja, duke venë gjithnjë në pah me krenari origjinën e tij. Vargjet e tij i japin jetë një thirrjeje prekëse, në të cilën të gjithë elementet e jetës gërshetohen e shkrihen tek njëri tjetri për të ravijëzuar një identitet i cili është femijëri, punë, dhimbje, beteja, dashuri, përhumbje dhe shpëtim. Në romanet e tij “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” dhe “Njeriu me Top”, me guixm të admirueshëm, Agolli i jep jetë kritikës sarkastike ndaj burokracisë tek i pari, dhe përkujtimit epik dhe ironik të heroizmit partizan në luftën kundër nazifashizmit tek i dyti. Dritëro Agolli, edhe pse në rolin e tij për njëzet vjet President i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve dhe më pas anëtar i Parlamentit, gëzon një famë të tejskajshme në vendin e tij, që e ka dashur dhe e do me mjaft dhembshuri”.

Ceremonia e dhënies së Çmimit për fituesit u mbajt në datën 5 tetor në Aliano, pranë Auditorit të Komunës, në praninë e kryebashkiakut të Alianos Luigi De Lorenzo, Presidentit të Parkut Letrar “Carlo Levi” Antonio Colaiacovo, Kryetarit të Këshillit Krahinor të Bazilikatës, Vincenzo Santochirico, Presidentit të Rrethit Kulturor “Nicola Panevino”, Pietro Dilenge, si dhe shkrimtarit dhe mikut të Shqipërisë Raffaele Nigro i cili intervistoi fituesit në vijim të ceremonisë.

Emocione të veçanta ngjallën tek të pranishmit fjalët e përshëndetjes së Dritëro Agollit, të lexuara nga vajza e tij Elona. Në përshëndetjen e Agollit thuhej mes të tjerash “Sot duhet të isha atje mes jush, por jam një kalë që i kanë dalë brinjët dhe i kanë rënë patkonjtë nga udhëtimi i gjatë, megjithatë, këtij kali patkonjtë e trurit ende i mbajnë. Falënderoj Jurinë e Edicionit të XVI të Çmimit Kombëtar për Letërsinë “Carlo Levi” dhe veçanërisht Rafaele Nigron, mikun e mirë dhe shkrimtarin e shquar, vepra e të cilit tanimë është pritur në Shqipëri me dashuri dhe vlerësim nga lexuesit e shumtë dhe kritika letrare. Unë ndiej një kënaqësi të madhe të marr një çmim me emrin e Carlo Levit, piktorit, publicistit dhe shkrimtarit të shquar, luftëtarit Antifashist dhe ëndërrimtarit për  një botë të re pa varfëri, padrejtësi shoqërore dhe pa luftra. Sikur të ndodhte një mrekulli që Carlo Levi të më shtrëngonte dorën, vetëm kjo gjë do të ishte çmimi më i madh që do të merrja ndonjëherë. Letërsia shqiptare që në fillimet e saj është ushqyer nga letërsia, arti dhe kultura italiane, sepse jemi fqinj dhe, siç thonë, na ndan vetëm një mur uji dhe mbi këtë mur uji siç fluturojnë pulëbardhat në brigjet tona, ashtu fluturon poezia, proza, muzika dhe të gjitha artet e tjera. Edhe njëhere, nëpërmjet kësaj përshëndetjeje të lexuar e të përcjellë nga vajza ime Elona, ju falënderoj për nderin dhe emocionet që më dhatë me Çmimin “Carlo Levi”. Pleqtë dhe fëmijët u gëzohen çmimeve".

Ndërsa Fatmir Toçi, deputet dhe botues i "Toenës", në fjalën e mbajtur në ceremoninë e dhënies së çmimit, ka falënderuar kreun e Bashkisë së Alianos, Luigi De Lorenzio dhe jurinë, që "kthyen sytë nga letërsia e vendit përballë dhe të vlerësojë me çmimin e këtij viti një prej penave më të ndritura të letërsisë shqipe bashkëkohore, poetin, shkrimtarin, publicistin, mendimtarin, personalitetin dhe mbi të gjitha, intelektualin e një kohe të trazuar për Shqipërinë dhe shqiptarët, Dritëro Agolli".

Gjatë pasdites, u shfaq një videoklip mbi jetët e autorëve të vlerësuar me çmim, dokumentari “Kine-turizëm nëpër vendet ku ka jetuar Carlo Levi”, si dhe një përshëndetje nga Grupi Polifonik i Krahinës së Vlorës.

Çmimi Kombëtar Italian për Letërsinë “Carlo Levi” konsiderohet si një takim i rëndësishëm në lëmin e kulturës italiane dhe është padyshim së bashku me Parkun Letrar kushtuar autorit piemontez Carlo Levit, i cili ishte piktor, publicist, dhe shkrimtar shumë i njohur italian.