Corriere Adriatico: Shqipëria, ku Adriatiku i ngjan detit të Karaibeve - Shqiptari i Italisë

Lifestyle
Edhe e përditshmja Corriere Adriatico promovon turizmin në Shqipëri. Në rubrikën Udhëtime, Paola Cimarelli shkruan se Shqipëria ia vlen të vizitohet për jo vetëm për plazhet e saja që në ndonjëherë të kujtojnë Karaibet, por edhe për bukuri të tjera natyrore, për site arkeologjike e qytete të bukura e të lashta.

Drejt Lindjes deri në Shqipëri
ku Adriatiku ngjan me Karaibet

Poshtë në të djathtë, duke ndjekur valët e Adriatikut drejt Lindjes. Në këtë cep të Ballkanit është Shqipëria, një vend që është për t’u dëshiruar, për t’u përshkruar, për t’u eksperimentuar me detin e saj, që nganjëherë të ngjan me atë të Karaibeve, me malet, falë të cilave meriton emrin “vendi i shqiponjave”, me historinë, me mbetjet e arkeologjisë pellazge, romake, greke, ilire, turke, dhe natyrën, që të ofron mundësinë të vizitosh 12 parqe kombëtare. Nga Puglia, në agime të pastra, mund të shihen majat e malit Korab, dhe pothuajse të preken me dorë brigjet, 80 kilometra larg nga Italia. Ky është çasti të marrësh një avion ose një traget dhe të shkosh dhe të zbulosh një tokë ende jashtë qarqeve të turizmit masiv, ndoshta jo për shumë kohë akoma. Për të udhëtuar, mund të zgjedhësh transportin publik, por me një makinë, edhe me qira, mund të shijosh të gjithë pasurinë kulturore dhe bukurinë e saj. Deti, ose më mirë bregdeti shqiptar, është i gjatë 360 km, buzë Adriatikut dhe Jonit.

Rëra e artë

Plazhi i Ksamilit është 17 km nga Saranda, përballë pjesës veriore të ishullit grek të Korfuzit, nga ku nisen autobusët e përditshëm. Një bregdet me rërë të praruar shtrihet përballë katër ishujve, me lartësi prej 7,5 deri 15 m, ku mund të shkohet me anije, not, madje në njërin prej tyre edhe në këmbë. Edhe këtu, në gusht, ka shumë njerëz, por jashtë sezoni të duket sikur ke marrë avionin për një vend tropikal. Është edhe plazhi i Qeparos, menjëherë pas gjirit të Porto Palermos me kështjellën e Ali Pashës, më pas Skalom, me rërë shumë të imët dhe det të pastër kristal, në afërsi të tij është shpella e Frëngut, si dhe Dhërmiu, që është një nga vendet më të bukura të rivierës së Jonit e ku mund të shihet manastiri i Shën Theodhorit, në këmbët e të cilit gjendet Shpella e Piratëve. Për t’u vizituar edhe zona arkeologjike e Butrintit, në jug të Sarandës, që i përket shekullit të tetë para erës sonë, edhe pse mitet e lidhura me origjinën e saj flasin se aty janë themelet e të mërguarve të Trojës. Nuk duhet humbur as Himara e lashtë, në një rajon me male deri në dy mijë metra, thikë mbi në det, me tarraca me pemë të kultivuara të ullirit dhe agrume, për ta mbyllur në Parkun e Llogorasë.

Burimi i perëndive

Gjithnjë në zonën malore, edhe Syri i Kaltër, burimi i perëndive, me origjinë karstike, që ndodhet në shpatin perëndimor të Malit të Gjerë. Kush do liqenin mund të shkojë në Shkodër, në kufi me Malin e Zi, dhe në Ohër, në kufi me Maqedoninë.
Në Shqipëri ka tre vende të shpallura pasuri e trashëgimisë së njerëzimit të UNESCO: zona arkeologjike e Butrintit, bashkë me Gjirokastrën dhe Beratin, dy shembuj të rrallë të arkitekturës së periudhës osmane. Në qendër të vendit, Berati, me kishat e saj bizantine, Kalanë e shekullit të trembëdhjetë dhe xhamitë e epokës osmane, dëshmon bashkëjetesën e komuniteteve të ndryshme fetare dhe kulturore. Gjirokastra, në luginën e lumit Drino në jug të Shqipërisë, karakterizohet nga një sërë shtëpish dykatëshe, të ndërtuara në shekullin e shtatëmbëdhjetë. Në qytet ka gjithashtu një pazar, një xhami e shekullit të tetëmbëdhjetë dhe dy kisha të së njëjtës periudhë.

Një lumë për të bërë një banjo

Ia vlen gjithashtu të shohësh Korçën, një nga qytetet më të rëndësishme të Shqipërisë, 853 m mbi nivelin e detit, në këmbët e malit të Moravës, në kodrën e Shën Thanasit, që ka qenë një vendbanim i lashtë, dhe Klosin, rreth 1 km nga parku arkeologjik i Bylisit, i rrethuar nga një mur i gjatë 1.850 metra,  një nga fortifikimet e para të gjysmës së dytë të shekullit të pestë para Erës sonë, i gjerë 3 metra e gjysmë, i ngritur me blloqe guri në formë trapezoidale dhe poligonale.
Pas detit, maleve dhe kulturës gjithmonë mund të shkohet në llixhat e Bënjës, në Përmet, ku hyrja është e lirë, me gjashtë burime kryesore në këmbët e masës shkëmbore, në të dyja anët e lumit Langaricë, që konsiderohen si ato me vetitë më të mira kuruese në Europë. Ose mund të shkohet në lumë për të bërë banjë, në Drin, Seman-Devoll dhe Vjosë. Kuzhina ka shijen e ndikimeve kulturore të vendit, me influenca greke, italiane dhe turke.

Çmimet janë të leverdishme

Çmimet e hotelit shkojnë nga 40-60 deri në 200 euro në natë (përdoret gjithandej euro, edhe pse monedha vendase është Leku). Jashtë sezonit mjafton të prenotosh dy ditë para, në kulmin e sezonit më mirë të prenotosh 20 ditë përpara.

Artikulli në origjinal:
Verso Oriente fino all'Albania
Dove l'Adriatico somiglia ai Caraibi