Elbasani në festë për Ditën e Verës - Shqiptari i Italisë

Lifestyle
Kanë nisur mbrëmë në Elbasan festimet për Ditën e Verës. Sot aktivitetet e ndryshme do të sjellin në qytet qindra mijëra qytetarë nga e gjithë Shqipëria, mes tyre edhe Edi Ramën e Sali Berishën

Tiranë, 14 mars 2012 – Sharmit të festës së Ditës së Verës në qytetin e Elbasanit , duket se i është shtuar edhe moti me diell dhe i ngrohtë. Që në orët e para të paradites janë fëmijët ato të cilët presin të festojnë në qendër të qytetit, në krosin e përvitshëm, si edhe në aktivitetin e karnavaleve organizuar nga Qendra e Artit, me shkollat 9-vjeçare të qytetit. 

Priten rreth 500 mijë mysafirë që do të kalojnë sot ditën e verës në qytetin e Elbasanit, ku pjesa më e madhe kanë ardhur një natë më parë. Dita e sotme i ka lënë vendin dhjetëra veprimtarive të tjera argëtuese e festive të organizuara nga bashkia e qytetit dhe ku pritet të vijnë dhe lider të politikës shqiptare si kryeministri Sali Berisha dhe kryetari i PS-së, Edi Rama.

Të gjitha lokalet e qytetit, por sidomos ato në zonat turistike në periferi e kanë destinuar menynë e tyre kryesore të gatimit vetëm për ditën e kësaj feste të madhe. Pothuajse në të gjitha rrugicat por më së tepërmi në dy bulevardet kryesore të qytetit syri të rrok lule të freskëta dhe ballokume që joshin së pari të ardhurit që në mëngjesin e kësaj dite.      

Të festosh në Elbasan ditën e parë të verës, është një fat për për ata që vijnë nga larg dhe një privilegj për elbasanasit.

Atmosfera e natës së verës nisi që mbrëmë, me perëndimin e diellit, për të përfunduar në orët e para të mëngjesit të sotëm.

Grupi "Elita 5", Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore, këngëtarja Englantina Toska, gjallëruan Natën e Verës nën tingujt e muzikës dhe valleve popullore të trevave të ndryshme. 

Ndërkohë, pas koncertit të madh në qendër të qytetit, shumë qytetarë iu drejtuan lokaleve ku kanë qenë të ftuar këngëtarë me zë si Petrit Lulo, Greta Koçi, etj.
"Dita e Verës" është festë e përtëritjes së natyrës, e vazhdimësisë së jetës, me prejardhje pagane. Në Elbasan është bërë festë popullore e mbarësisë familjare, e festuar nga të gjithë pa dallim.

Por edhe Tirana e qytete të tjera të vendit, festojnë sot Ditën e Verës, në kuadër të të cilës do të zhvillohen një sërë aktivitetesh. Aktivitetet në kryeqytet kanë nisur në rrugën "Murat Toptani", me çeljen e Panairit të Produkteve Shqiptare, i cili bashkon bizneset e të gjitha trevave shqiptare, nga Kosova, Mal i Zi, Maqedonia, Presheva e Shqipëria. Hapja e këtij panairi në rrugën "Murat Toptani" është shoqëruar edhe me performancën e Ansamblit të Qytetit. 

Panairi organizohet në kuadër të "Javëve të biznesit kombëtar", eveniment i organizuar në kuadër të 100 vjetorit të pavarësisë nga KASH dhe Aleanca Kosovare e Biznesit, në bashkëpunim me institucionet homologe ne Presheve, Mal te Zi, Maqedoni. Ky aktivitet që mbledh sot në kryeqytetin e Shqipërisë biznesmenë dhe prodhues nga mbarë trevat shqiptare, synon të rrisë vetëdijen e popullatës mbarë shqiptare për të konsumuar mallra cilësorë që mbajnë vulat si prodhim vendor dhe jo i importuar nga vende të huaja.

Më tej do të kompozohet qyteti i artit në Lulishten “3 Vëllezërit Frashëri”. Dekorimi i kësaj qyteze do të shoqërohet me muzikën e një  bande rock dhe do të rrethohet nga piktorë rruge e piktura të punuara nga nxënës të Liceut Artistik “Jordan Misja”. 

Edhe për fëmijët do të ketë një ‘qytet’. Nën atmosferën e personazheve të “Disney Land” do të organizohen lojëra për të gjithë fëmijët në lulishten në qendër të qytetit nga animatorë profesonistë. Të gjitha lojërat do të shoqërohen me shfaqjen teatrore të QKT  “Shkopi magjik” dhe me performancën artistike të fëmijëve të talentuar të qendrës “TEN”, pranë “Parkut Rinia”.

Festimet do të kulmojnë në sheshin “Nënë Tereza” me karaoken që do të organizohet me pjesëmarrjen e disa këngëtarëve të mirënjohur.