Dua Lipa debuton në televizionin italian (VIDEO) - Shqiptari i Italisë

Lifestyle
Dua Lipa, këngëtarja 20-vjeçare me origjinë kosovare e ftuar në Che tempo che fa. Fazio: "Një pop star me zotësi të jashtëzakonshme"

Dua Lipa, 20-vjeçarja e lindur në Londër nga prindër nga Prishtina po gëzon një periudhë të artë si këngëtare. Ajo po konsiderohet si një nga zërat surprizë më të vlerësuar në Evropë për vitin 2016, një pop star e vërtetë.

Të dielën, më 10 prill, ishte e ftuar edhe në emisionin televiziv Che tempo che  fa në RAI 3, me këngën e saj më të famshme Be the One që ka dalë në tetor të vitit 2015. Fazio nuk ia ka kursyer fjalët e ngrohta e përgëzimet. I ka kujtuar se kënga e saj “Be the One” po korr një sukses të jashtëzakonshëm në youtube (rreth 24 milionë shikime) por edhe që vite më parë e kanë përzënë edhe nga kori i shkollës: “Kushedi sa i bie murit me kokë sot ai që të konsideroi të paaftë për të qenë pjesë e korit!”.

“Jam shumë e lumtur për suksesin, gjithçka ishte e papritur” u shpreh vajza. “Sa për atë që ndodhi në shkollë as që e mendoj më, - shton duke qeshur - bëj krejt tjetër gjë, ka ndryshuar gjithçka”.

Në shtator pritet të dalë edhe albumi i parë i Dua Lipës, pas dy këngëve të veçanta, New Love (gusht 2015) dhe pikërisht Be the one po bën për vete mbarë botën.