E përditshmja sportive franceze L’equipe: Ja revolucioni i De Biasit - Shqiptari i Italisë

Lifestyle
Sipas të përditshmes sportive franceze, magjia e De Biasit që revolucionoi kombëtaren kuqezi qe se ai diti të bindë futbollistët e diasporës shqiptare të vinin të luanin për kombin e tyre

Në vigjilje të ndeshjes së sotme Francë-Shqipëri, e përditshmja sportive L’equipe i ka kushtuar dje një artikull njeriut që solli kuqezijtë deri në europian. Gazetari francez Yohann Hautbois ka bërë një përshkrim të 5 viteve të teknikut italian në krye të kombëtares sonë. Lapsi.al ka sjellë një përmbledhje të këtij shkrimi.

Ai fillon me faktin se një ditë pas ndeshjes me Francën, De Biasi festoi 60 vjetorin e tij. “Kuptohet dhurata që do njeriu që mbushi 60 vjet, apo “50 e 120 muaj”  siç i pëlqen atij të thotë - shkruan L’equipe që vazhdon - Blutë ai i ka mundur njëherë në qershor të 2015, u ka marrë edhe një barazim në Renne në 2014 , por këtë herë kushtet nuk janë të njëjta për njeriun që bëri revolucionin e kombëtares shqiptare”.

Gazeta tregon kyçin e suksesit të italianit. Sipas saj magjia e De Biasit qe se ai diti të bindë futbollistët e diasporës shqiptare të shkonin të luanin për kombin e tyre. Ai bëri mbi 70 udhëtime në Europë, i gjurmoi në internet dhe pastaj filloi punën bindëse.

“I lindur në Lozanë Migjen Basha, ish mesfushori i Torinos, qe i pari që e hodhi hapin. Mbërritja ime qe e vështirë. “Në fillim Lorik Cana më kish folur për këtë gjë por unë nuk mund të luaja se prindërit e mi nuk kishin pashaportë shqiptare” thotë ai.

Të njëjtën gjë tregon edhe Mërgim Mavraj i cili luajti disa ndeshje me shpresat. Ai thotë: “Federata nuk qe e organizuar. Askush nuk e çante kokën për ne” dhe si përfundim ai bëri disa ndeshje me te rinjtë e Gjermanisë deri sa në Tiranë mbërriti De Biasi.

“Misteri bëri gjithçka, ai i zgjoi të gjithë”, thotë Basha.

“Në fillim federata më thonte se ishte e pamundur të mernim Migjenin. Unë i bëra vetëm një kërkesë: më jepni mua të drejtën për gjithçka - i thashë. Dhe pajtova një avokat italian. Ai i rregulloi dokumentat. Më e rëndësishmja qe të tregoja se ishte e mundur” tregon De Biasi për L’equipe.

Dhe pas kësaj vërshuan, Taulant Xhaka, Shkëlzen Gashi, Mërgim Mavraj dhe shumë të tjerë.

Kjo është merita e De Biasit, tregon gazeta, e cila thekson se ky revolucion e çoi Shqipërinë në Euro 2016, dhe e bëri italianin një trajner shumë të kërkuar sot në treg. Shkrimi mbyllet me frazën: “60 vjeç ai ka ende mundësi të nisë diçka të re”. (Lapsi.al)