Eurovision 2014. Hersi Matmuja përfaqëson Shqipërinë me “One Night's Anger” - Shqiptari i Italisë

Lifestyle
Është versioni anglisht i këngës Zemërimi i një nate, fituese e Festivalit të fundit shqiptar (videoklipi)

Romë, 20 mars 2014 – Prej disa ditësh Eurovision ka dhënë videoklipin zyrtar të këngës me të cilën Hersi Matmuja do të përfaqësojë këtë vit Shqipërinë në edicionin e 59° të festivalit europian të këngës që do të mbahet në Kopenhagen më 6, 8 dhe 10 maj.

Kënga është ajo me të cilën Matmuja fitoi festivalin e fundit në RTSh, Zemërimi i një nate, me vargje të Jorgo Papingjit dhe muzikë të Genti Lakos, që në Kopenhagen do të këndohet në versionin anglisht, me titull One Night's Anger. Ajo do të ngjitet në skenë natën e parë gjysmëfinale të festivalit, të martën, më 6 maj.

Hersi Matmuja është 24 vjeçe. Ka lindur në Kukës, por nga viti 2009 jeton në Romë ku ka studiuar për kanto në konservatorin e Santa Cecilias. Në festivalin e Këngës në RTSh ka marrë pjesë për herë të parë në edicionin e 45-të dhe atëherë është vlerësuar me çmimin e parë në kategorinë e të rinjve me këngën "Ah Jetë, Oh Jetë". Nga viti 2010, edhe pse jeton në kryeqytetin italian, është ngjitur në skenë në të gjitha edicionet e festivalit të këngës në Tiranë e dhjetorin e shkuar, me pjesëmarrjen e saj për të pestën herë, fitoi çmimin e parë duke prenotuar kështu një vend për në Eurovision 2014.

Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)