“Fairytale”, videoklipi zyrtar i këngës përfaqësuese të Shqipërisë në Eurosong - Shqiptari i Italisë

Lifestyle
Publikohet  videoklipi i këngës shqiptare Përrallë të Eneda Tarifës, që doli fituese e Festivalit të 54-t të Këngës në RTSH. Videoklipi quhet “Fairytale”, vjen në gjuhën angleze, siç do të këndohet kënga edhe në Festivalin Evropian që do të mbahet në Stokholm në 10, 12 dhe 14 maj 2016.
Fairytale është kompozuar nga Olta Toçi, me orkestrim të Shpëtim Saraçit dhe është përpunuar në Londër nga producenti Jerry Meehan.
Për veshjen e Enedës është kujdesur stilistja Bora Kokëdhima e cila me markën e saj “Savage”, do të jetë kuratorja e look-ut të Eneidës në “Eurosong”. Fustanet e krijuara janë një ndërthurje e elementëve tradicionalë të Shqipërisë së Veriut, me materiale dhe copa, që janë një trend i ditëve të sotme.
Gjatë përgatitjeve për videoklipin këngëtarja shqiptare realizoi edhe një set fotografish në fshatin turistik të Thethit, që do të shërbejë për intervista ndërkombëtare dhe përfaqësime të ndryshme.
Në sitin zyrtar të Eurosong, kënga është ndjekur nga mëse 163 mijë vetë dhe krahas 2.941 të atyre që e kanë pëlqyer, ka mëse 3.200 të tjerë që kanë shprehur mospëlqimin. Për të bërë një krahasim, kënga polake, për shembull, e publikuar të njëjtën ditë me këngën përfaqësuese të Shqipërisë, është parë nga mëse 1.308.000 vetë, ka marrë mbi 16 mijë pëlqime dhe rreth 3.500 mospëlqime.