Federara zvicerane e futbollit ndalon festimet tepër “shqiptare” të Xhakës dhe Kasamit - Shqiptari i Italisë

Lifestyle
Lojtarët e stafi i kombëtares së futbollit të Svicrës thirren për të dhënë llogari të hënën: duhet të mbajnë jashtë fushës së gjelbër jo vetëm fyerjet por edhe politikën

Romë, 9 nëntor 2014 – Shoqata zvicerane e Futbollit, ASF, nuk toleron gjeste vulgare, fyese por as nacionaliste në fushën e gjelbër nga futbollistët e saj, veçanërisht ata të kombëtares. Në shënjestër të ASF-së janë vënë së fundi futbollistët me origjinë shqiptare Xhaka e Kasami që pas ndeshjes Serbi-Shqipëri po festojnë golat e fitoret me shenjën e shqiponjës dykrenare të bërë me duart e ndërthurura.

Sipas mediave svicerane, për t’u dhënë fund këtyre gjesteve, në Bernë kanë vendosur të diskutojnë rreth kësaj çështjeje me të gjithë futbollistët dhe stafin e ekipit përfaqësues, gjë që do të bëhet në një takim që do të mbahet të hënën më 10 nëntor.

“Ka pasur ankesa lidhur me këtë gjest”, thonë nga ASF. “Nuk duam të dënojmë çdo sjellje por as të tregohemi naivë. Është e qartë që kemi disa rregulla që duhet të respektohen pa asnjë përjashtim”.  Për më tepër, kujtojnë nga ASF, “futbolli luhet me këmbë e jo me duar”.

Për përfaqësuesin e lartë të ASF-së, Peter Stadelmann, “Federata nuk toleron të tilla sjellje që krijojnë siklet e mund të shkaktojnë dhunë” edhe jashtë kufijve të Shqipërisë apo Serbisë.  Kështu u është përgjigjur ai futbolistëve me origjinë shqiptare sipas të cilëve ndalimi i këtij gjesti përbën diskriminim.