Skuadra që De Biasi do të nxjerrë në fushë kundër Francës - Shqiptari i Italisë

Lifestyle
Të gjitha ndryshimet për përballjen e sotme me të zotët e shtëpisë

Kombëtarja shqiptare e futbollit shkeli fushën e gjelbër të Velodrome për seancën e fundit stërvitore para sfidës me skuadrën e Deschamps. Një mundësi për t’u ambientuar me madhështinë e stadiumit 67 mijë vendesh, pasi emocionet këtë herë nuk duhet të jenë një faktor kushtëzues.

Seanca e fundit ka shërbyer edhe për të shuar ndonjë dyshim të vogël, megjithëse gjithçka është përgatitur në detaje. De Biasi preferon të mos i thotë të gjitha përsa i përket formacionit, por me shumë mundësi do të jetë ai i paralajmëruar nga Supersport-i:

Ajeti përkrah Mavrajt në qendër të mbrojtjes para Berishës, nga krahët Hysaj dhe Agolli. Në mesfushë Kukeli pak pas Abrashit dhe Memushajt që zëvendëson Taulant Xhakën, ndërsa në të djathtë Lila në vend të Roshit me Lenjanin në krahun e kundërt dhe në sulm Sadiku. Është kjo 11-shja që do të përballet me Francën.

Në miqësoret e grupit kualifikues i kemi marrë një barazim dhe e kemi mposhtur në Elbasan, por nuk do shumë mend për të kuptuar që këtë herë gjërat janë ndryshe. “Gjelat” kërkojnë kualifikimin dhe do të jenë shumë më të motivuar, Shqipërisë i duhet të bëjë ndeshjen e përkryer për të marrë një rezultat pozitiv. I duhet të mbyllë çdo hapësirë për yjet e vendasve, i duhet të luftojë me shpirt e zemër, të guxojë atëherë kur i jepet mundësia dhe padyshim të mos gabojë në rastet që krijohen.

Duhet pranuar, misioni është tejet i vështirë. Nuk kemi yjet e Francës dhe as historinë e saj në futboll, por kjo është një Shqipëri që na ka mrekulluar disa herë, fati ndoshta na ka rezervuar një tjetër natë magjike, këta djem duhet ta provojnë.

Forca djema!