Futboll: 29 marsi, data me fat për kuqezinjtë - Shqiptari i Italisë

Lifestyle

Fitorja 2-1 ndaj Armenisë për Kombëtaren shqiptare të futbollit, nuk është e vetmja fitore e madhe dhe e rëndësishme e arritur në datën 29 mars. Në fakt kjo datë ka rezultuar fatlume për Shqipërinë, e cila nga 4 ndeshje të luajtura në vite në këtë datë, ka fituar tre.

29 mars 1995, Shqipëria luante në orën 15:30 në “Qemal Stafa” ndaj Moldavisë nën sytë dhe të presidentit të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Jose Antonio Samaranch. Kombëtarja e drejtuar në atë periudhë nga Neptun Bajko fitonte 3-0 duke regjistruar suksesin më të thellë të përfaqësueses në një eliminatore.
Një prej golave më të bukur në historinë e kombëtares me autor Kushtën i jepte Shqipërisë epërsinë në minutën e 32-të, ndërsa në të 43-tën, një goditje dënimi e Demollarit ndalej nga Coselev përpara se Kaçaj të shtynte në rrjetë golin e 2-0. Në pjesën e dytë Kushta shënonte dhe golin e dytë personal me Shqipërinë që fitonte 3-0.

29 mars 1997, Shqipëria, e drejtuar nga Astrit Hafizi luante larg vendit të saj në Granada, për shkak të situatës së jashtëzakonshme të krijuar në vend. Kundërshtar ishte Ukraina, që sapo kishte nisur shpërthimin e saj në futbollin ndërkombëtar. Ukrainasit me Shevchenkon e Rebrov në fushë triumfonin 1-0, me një gol të këtij të fundit në minutën e 40-të. Një 29 mars jo dhe aq i mbarë për përfaqësuesen.

29 mars 2003, kuqezinjtë zbrisnin në ‘Loro Boriçi’ të Shkodrës, me një gjerman për trajner si Hans Peter Briegel. Në këtë sfidë Kombëtarja regjistronte fitoren më të madhe në historinë e saj në eliminatore, duke mundur 3-1 Rusinë. Një 11-metërsh i humbur në minutat e para, nuk pengoi kuqezinjtë të kalonin në epërsi në të 20-tën me Altin Rrakllin. Rusët barazuan me Karyakan në të 76-tën, por një gol i Lalës në të 79-tën bëri “Loro Boriçin” të shkundej i tëri nga entuziasmi. Festa kuqezi u kompensua në të 82-tën kur Ilgi Tare shënoi dhe të tretin.

E së fundi, më 29 mars 2015, Shqipëria fitoi 2-1 ndaj Armenisë në “Elbasan Arena” një tjetër ndeshje të rëndësishme, në një datë që ka shënuar suksese të rëndësishme kuqezi.

(ATSh)