Gëzuar 7 marsin. Urimet ndryshe të Eduart Ndocajt - Shqiptari i Italisë

Lifestyle
Politika uron 7 Marsin përmes rrjeteve sociale

Tiranë, 7 mars 2016 – Të gjithë në Shqipëri urojnë sot festën e mësuesit, në nder të Mësonjëtores së Korçës, shkolla e parë e gjuhës shqipe që u hap më 7 mars 1887. Në erën e rrjeteve virtuale sociale, askush nuk humb rastin të bëjë urime në to. Kështu edhe politikanët.

E bën plot emocion ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, me një postim të gjatë në profilin e saj Facebook ku mes të tjerash lexohet: “Gëzuar 7 Marsin! Gëzuar festën e mësuesit dhe shkollës shqipe!
Unë e di pasionin, dashurinë dhe përkushtimin që Ti ndan çdo ditë me nxënësit e tu. Ëndrra për çdo nxënës fillon nga një mësues. Kështu ka qenë edhe për mua.
Nuk e ke filluar edhe ti ëndrrën tënde nga mësuesja jote? Unë po. Njoh mësuesen, mësuesit që i dhanë krah dhe jetësuan edhe ëndrrën e sime bije.
Shpesh pyes veten nëse në 16 vitet e mia të mësimdhënies u shërbeva dhe unë nxënësve të mi, siç u kërkova dhe mësuesve të sime bije”.

Uron nga Shkodra kryeministri Rama që poston një album fotografik të shoqëruar nga: “Sot në gjimnazin “28 Nëntori” të Shkodrës për t'i përcjellë urimet më të përzemërta të gjithë mësuesve të Shqipërisë përmes ekipit fantastik të kësaj shkolle, ku respekti për traditën dhe ambicia për të ardhmen gërshetohen me rezultate mbresëlënëse”.

E bën Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri gjithnjë përmes Facebook-ut: “Gëzuar 7 Marsin! Respekt për mesuesit, gratë e burrat që mësojnë fëmijët të rriten të lirë e të ditur”, shkruan Tahiri në Facebook.

Kryetaria e Komisionit të Integrimit, deputetja e PD-së, Majlinda Bregu, shprehet: “Gëzuar të gjithë mësuesve që mësojnë me zemër, frymëzojnë shpresë, lëvdojnë mendimin kritik dhe nxisin mendjet e hapura!”.

Edhe ish-kryeministri dhe deputeti i PD-së, Sali Berisha, ka zgjedhur statusin e tij social Facebook për të uruar mësuesit: “Gëzuar 7 marsin, ditën e misionarëve të dijes, të qytetërimit! Sot është Dita e Mësuesit, është dita e misionarëve që përhapin dijen, edukojnë dhe mësojnë brezat me radhë. Ndaj dhe dëshiroj që t’ju uroj nga zemra mesuesve të mi, mesuesëve të fëmijeve të mi, atyre të nipërve dhe mbesave të mia dhe të gjithë mesuesëve shqiptarë, gezuar këte ditë, shendet, gëzime e shumë suksese në misionin e tyre fisnik të bekimit te dijes dhe vlerave qytetare e atdhetare”.

Por urimin më origjinal e bën Eduart Ndocaj, që edhe pse është i fundit parlamentar shqiptar që hyri në Kuvend, është shumë i njohur nga publiku i gjerë. Urimi i tij është i veçantë jo për ato që ai shkruan “Gezuar 7 marsin! Kjo dite na kujton themelet e para te shkolles shqipe dhe figuren e nderuar te mësuesit! Nje Komb pa arsim eshte i destinuar te zhduket!”, por për imazhin që zgjedh për të shoqëruar urimin: