Gëzuar Vitin e Ri! - Shqiptari i Italisë

Lifestyle

Gjatë vitit 2011, në faqet e Botës Shqiptare e Shqiptariiitalise.com, veç shkrimeve të zakonshme mbi aktualitetin, mbi tema shqiptare e emigracioni, mbi histori shqiptarësh pak a shumë të njohur, iu kushtua një vëmendje e veçantë njëzetvjetorit të komunitetit tonë në Itali. Shkrime të shumta sollën jo vetëm analiza të emigrimit të shqiptarëve, këndvështrime të ndryshme italiane apo shqiptare ndaj tij, veprimtaritë e ndryshme festive, por edhe përvojat dhe mbresat personale të protagonistëve të zbarkimeve të vitit 1991.

Në numrin special (nr. 272) të Botës Shqiptare të fundit të vitit, në kujtim të dy eksodeve të mëdha të 1991-shit, zgjodhëm të ribotojmë një pjesë të “Mos kini frikë – Grand Hotel Albania”, të Francesco Niccolinit, të prezantuar për herë të parë në kuadrin e veprimtarive "Qyteti mikpritës: Shqipëri-Brindisi, 20 vjet më pas" të organizuara në qytetin puljez më 11-13 mars, dhe “8 gusht 1991. Vlora vjen në Bari”.
Risollëm gjithashtu edhe shkrimet për disa nga Shqiptarët e Italisë së vitit të fundit. Shkrimet për të gjithë të tjerët që nuk kishim mundësi të përfshinim në faqet e gazetës, mund t'i lexoni në këtë rubrikë të shqiptariiitalise.com.

Duke ju uruar të gjithëve një vit të mbarë, ju kujtojmë se në brendësi të numrit të parë të Botës Shqiptare të këtij viti, do të gjeni edhe kalendarin 2012 të shqiptariiitalise.com që mund të shkarkoni edhe këtu. Fotot e kalendarit janë të fotografit Stefano Romano, në redaksinë e grupit editorial Stranieri in Italia.