Gjeli i detit me gështenja i shefit Fundim Gjepali - Shqiptari i Italisë

Lifestyle

Gjeli i detit është pjata tradicionale e tavolinave shqiptare të Vitit të Ri. Receta e shefit të kuzhinës Fundim Gjepali e sjell atë ose pulëhinen të mbushur me gështenja. Një pjatë e thjeshtë dhe e shijshme që kushdo mund të përgatisë për festa.

Gjel  deti ose pulëhine  (faraona) e mbushur me gështenja

Për 6 vetë nevojiten:

1 gjel deti apo pulëhine,
100 gr. mish i grirë,
200 gr. gështenja,
1 vezë,
5 gr. kopër ,
1 dege rozmarinë,
1 gjethe dafine,
2 gjethe sherbele,
1  qepë,
1 degë selino,
1 karotë,
1 thelb hudhër,
kripë, piper, vaj ulliri, vere e bardhë dhe spango.

Përgatitja:

I heqim kockat pulës, i hedhim kripë dhe piper nga të gjitha anët.

Marrim gështenjat, u bëjmë një shenjë me thikë, pastaj i fusim në furrë të nxehtë për 8 minuta në një temperaturë 180°. I nxjerrim e u heqim lëvozhgat.

Në një enë përziejmë gështenjat e pastruara, mishin e grirë, vezën dhe koprën e grirë. I hedhim kripën dhe piperin që nevojitet.

Marrim pulën e hapim mirë, marrim gështenjat dhe mishin e grirë tashmë të përziera i vëmë në mes të pulës e rrotullojmë mirë  dhe e lidhim me spango. Në një tigan hedhim pak vaj ulliri dhe fillojmë të skuqim pulën e mbushur.

Marrim qepën, selinon, karotën të prera në copa të vogla, thelbin e hudhrës, erëzat e mbetura dhe i hedhim të gjitha në tigan bashkë me pulën. Kur pula të jetë skuqur mirë e spërkasim me  verë. Pasi vera të ketë avulluar, mbulojmë pulën me ujë ose lëng mishi nëse  kemi. E fusim  në furrë në një temperature 150° për rreth 30 minuta, gjithmonë duke e shikuar që mos të thahet. Kur shikojmë që po thahet i shtojmë pak ujë.

Kur pula të jetë pjekur i heqim spangon dhe e presim në feta me gjerësi rreth 2 cm. Lëngun e mbetur në tepsi e fusim në një tenxhere e vëmë në zjarr deri sa të fillojë të ziejë. E trashim  duke përdorur  miell ose  niseshte të shkrirë në ujë. E kullojme me një kullesë dhe e përdorim si salcë sipër fetave të pulës.