Hiperbola në gjuhën tonë të përditshme - Shqiptari i Italisë

Lifestyle

Politikanët shqiptarë trajtohen si yje të kinematografisë botërore, personazhet historikë janë me famë ndërkombëtare e me një të kaluar të lavdishme, ndërsa aktorë e këngëtarë të tjerë, sigurisht të rrallë e të famshëm, janë të projektuar drejt së ardhmes së ndritshme. Ngjarje të pabesueshme zhvillohen në një natyrë magjepsëse, të mahnitshme, të mrekullueshme, ku njerëz të pakrahasueshëm e të rrallë janë të paharrueshëm për jetë të jetëve...
Nga Gino Luka

Sot ndodh që të gjithë flasim dhe shkruajmë me hiperbola: mbi këtë figurë retorike bazohet një pjesë e madhe e gjuhës së televizorit dhe e rrjeteve sociale. Mund  të përdorim një hiperbolë vetëm nëse jemi të sinqertë: e ndryshojmë realitetin duke e zmadhuar, pra, jo për të mashtruar, por për t'i dhënë më shumë besueshmëri mesazhit tonë.

Çfarë është hiperbola?

Hiperbola është një fjalë me origjinë greke. Me anën e një hiperbole ne intensifikojmë një shprehje përtej kufijve të besueshmërisë, në kuptimin që zëvendësojmë një fjalë me një tjetër, duke e zmadhuar me tepri deri në diçka të pabesueshme ose duke e zvogëluar atë. Në thelb është e kundërta e eufemizmit.

Shpesh përdorim një hiperbolë për t’u dukur më simpatikë, për shaka, në anekdota ose për të inkurajuar bisedën në fazën fillestare, apo edhe si një formë ironie ose sarkazme.

Në shekullin e trembëdhjetë në poezinë Rosa fresca aulentissima, (Trëndafil i freskët me aromë shumë të mirë) poeti sicilian Cielo d’Alcamo tallet me këtë figurë letrare që përdorej gjerësisht në letërsinë e asaj kohe.

Më poshtë jepet një nga strofat e kësaj poezie komike:

«Se di meve trabàgliti, follia lo ti fa fare.
Lo mar potresti arompere, a venti asemenare,
l’abere d’esto secolo tutto quanto asembrare:
avere me non pòteri a esto monno;
avanti li cavelli m’aritonno».

«Në se vuan për shkakun tim, është çmenduria që të shtyn.
Mund të lërosh me parmendë detin, të mbjellësh në qiell,
të grumbullosh të gjitha pasuritë e kësaj bote:
nuk të dua e pranoj më mirë të pres flokët [të bëhem murgeshë] se sa të jem e jotja».

Abuzimi në përdorimin e hiperbolës përbën banalitet: dëgjuesi arrin të mos e përfillë më bisedën dhe përfundon duke mos besuar më asnjë nga gjërat që thuhen nga bashkëbiseduesi, siç ndodh në rastin e reklamave në TV ose në gazeta, ku hiperbola është një figurë qendrore (“Si të bëhemi miliarderë: 5 këshilla.”, “Si të fitojmë 10.000 Euro në muaj duke ndenjur në shtëpi”, etj.).

Sinqeriteti i atyre që i zmadhojnë gjërat

Mund  të përdorim një hiperbolë vetëm nëse jemi të sinqertë: e ndryshojmë realitetin duke e zmadhuar, pra, jo për të mashtruar, por për t'i dhënë më shumë besueshmëri mesazhit tonë. Nëpërmjet teprisë, ekzagjerimit, përpiqemi t'u japim besueshmëri fjalëve (Çmimet e ilaçeve kanë shkuar në qiell. - Mbytet me një pikë ujë, etj.). Dikush na thotë: "Ka nja njëqind vjet që nuk shihemi", dhe ndoshta më këtë ai do të thotë se e ka marrë malli shumë. Një prind i thotë fëmijës: "Ta kam thënë njëqind herë", një këshillë pra që ia ka dhënë shumë herë fëmijës.

Të gjithë përdorin hiperbola

Sot ndodh që të gjithë flasim dhe shkruajmë me hiperbola: mbi këtë figurë retorike bazohet një pjesë e madhe e gjuhës së televizorit dhe e rrjeteve sociale. Facebook-u është plot me artikuj që premtojnë se do të na e ndryshojnë mënyrën se si i shohim gjërat: na tregohen “Sekretet për t’u bërë miliarderë që një i pasur nuk ka për t’i treguar kurrë”. Kryesisht, ajo që ka ndryshuar duket se është raporti ndërmjet kësaj figure retorike dhe mirëbesimit: p.sh. nëpërmjet mesazheve në Facebook persona të ndryshëm shprehen në mënyrë të ekzagjeruar për dikë ose për fakte që nuk i njohin me një (mendje)lehtësi të habitshme. Ndoshta për faktin se mund të fshihen pas një pseudonimi/llagapi ose sepse janë të sigurt që nuk do ta takojnë kurrë personalisht personin që “sulmojmë pa frikë” e me fjalë të ekzagjeruara.

Hiperbola bëhet atëherë një figurë retorike e vënë në rrezik: një përdorim i pamatur e rrezikon sepse duke e normalizuar asgjëson efektet e saj. Nëse të gjithë e përdorin, pa kriter dhe keq, hiperbola e humbet efektin e saj, madje krijon efektin e kundërt dhe në fund vdes. “I madhi R. Arbana interpreton vargjet e të madhit Gj. Fishta”: kur të gjithë janë të mëdhenj nuk merret vesh se kush është më i madhi i të mëdhenjve...

Hiperbola në lajmet sportive

Sidomos gjuha e sportit vuan nga një formë e çuditshme hiperbolizimi: nga njëra anë përdoret në mënyrë të tepruar retorika, hiperbolat e mbiemrat në shkallën sipërore; nga ana tjetër, përdoren formula të shkurtra, të shpejta dhe koncize, tipike për rubrikat e futbollit.

Rezultati është një gjuhë mjaft e çuditshme, e cila mësohet shumë lehtë nga konsumatorët e këtij lloj informacioni, sidomos nga të rinjtë. Kështu ndodh që shpesh flitet duke përdorur të njëjtin stil retorik dhe hiperbolik, por të reduktuar në minimum (është i madh... fantastik... gjenial... gjigant... më i famshmi i botës... i jashtëzakonshëm... E pabesueshme...).

Më poshtë jepet një shembull i gjuhës së larmishme të një komentuesi sportiv, që duke përshkruar një lojtar futbolli shprehet kështu:

“Autori i golit është i jashtëzakonshmi N.N. i cili, me fitoren e arritur, hyri në legjendën e futbollit. Lojtari gjigant, ky supershënues mbinjerëzor luajti një ndeshje të jashtëzakonshme, madje fantastike. Superkampioni ynë po vazhdon të bluajë rekorde dhe po i shtrydh kundërshtarët duke ia bombarduar portën me golat e tij të pashmangshëm dhe vdekjeprurës. Kolosi i futbollit shkodran nuk humbet as edhe një rast, duke dërmuar pa mëshirë edhe ëndrrat për fitore të shumë skuadrave pretenduese... etj.

Hiperbola në artikujt e gazetave

Gjatë 50 vjetëve të diktaturës Shqipëria nuk ka pasur gazeta të lira, për shkak të censurës. Pas viteve 1990, kur gazetat u përpoqën të zgjerojnë shpërndarjen e tyre, duke futur elementë të huaj në identitetin dhe kulturën shqiptare, dhanë si rezultat produkte jo homogjene: gazeta-omnibus ku një gazetë është fotokopja e tjetrës  (informacion, kronika, intervista, biografi personazhesh, parashikime të motit, turizëm, receta kuzhine, debate mbi tema aktuale, këshilla seksi, etj., të gjitha së bashku) duke kaluar papritmas nga censura në kaos.

Metoda e gazetarisë popullore, sipërfaqësore dhe provokuese, që merret nga njëra anë me kronikën e zezë e nga ana tjetër me aktorë dhe sportistë, me personazhe që bien në sy e që ua kalojnë madje edhe politikanëve duket se nuk e përballon dot krizën e shitjeve. Në këtë mishmash zhanresh të molepsur që nuk i pëlqen as lexuesit të ngritur e as të tjerëve, hiperbola është protagoniste.
Protagonistët e politikës shqiptare trajtohen si yje të kinematografisë botërore, personazhet historikë janë me famë nd
ërkombëtare e me një të kaluar të lavdishme, ndërsa aktorë e këngëtarë të tjerë, sigurisht të rrallë e të famshëm, janë të projektuar drejt së ardhmes së ndritshme.

Në këtë gazetari bombastike përbërësit e domosdoshëm janë: “më i madhi, vigani, gjeniali, fantastiku, gjiganti, i jashtëzakonshmi, i madhërishmi, madhështori dhe sinonimet e tyre”. Ndërsa kur është nevoja, për të diskretituar dikë, nuk kursehen antonimet e fjalëve të mësipërme.

Ngjarje të pabesueshme zhvillohen në një natyrë magjepsëse, të mahnitshme, të mrekullueshme, ku njerëz të pakrahasueshëm e të rrallë janë të paharrueshëm për jetë të jetëve.

Por ndodh edhe që ngjarje të tmerrshme të zhvillohen në periferinë e degraduar të një qyteti të zymtë, ku njerëz të dëshpëruar e në prag të vetëvrasjes konsumojnë ditët e fundit të jetës së tyre pashpresë, të braktisur e të përbuzur nga një shoqëri cinike.

Përdorimi me kriter i hiperbolave

Hiperbola, sipas rregullave të retorikës, qëndron në një ndryshim të vullnetshëm të realitetit e nuk ka qëllim të mashtrojë lexuesin: duke i dhënë besueshmëri mesazhit nëpërmjet zmadhimit të një fjale transmeton me forcë më të madhe te lexuesi konceptin që dërguesi i mesazhit dëshiron të shprehë.

Sipas oratorit romak, mjeshtër i retorikës, Marco Fabio Quintiliano shprehja hiperbolike është e rremë kur shpreh diçka më tepër sesa ajo që kemi në mendje në mënyrë natyrale. Pra kur dikush shpreh diçka, ashtu siç e ndjen, nuk i zmadhon gjërat por e shpjegon me besnikëri mendimin e tij për atë çfarë ndien. Në teprinë e pasionit hiperbola më e çuditshme është shprehje e natyrës dhe e së vërtetës. Është edhe diçka e bukur, kur flitet për diçka që është e jashtëzakonshme, sepse jep mundësinë të shprehë më tepër, e diskutimi arrin përtej asaj që thuhet duke mos e zvogëluar efektin.

Herodoti, duke folur për luftën e spartanëve në Termopile, thotë: “Spartanët u mbrojtën në atë vend, derisa Barbarët i varrosën nën shigjetat e tyre”. Pra është duke thënë se turma e panumërt e barbarëve i sulmoi nga të gjitha anët, dhe sasia e shigjetave, që gjuajtën kundër një grushti spartanësh ishte e jashtëzakonshme (aq sa t’i mbulonte krejtësisht).

Një gjë është ekzagjerimi (kalimi i caqeve) e tjetër gjë është amplifikimi. Duke e ekzagjeruar një gjë, e paraqesim më shumë se nga ç’është ndërsa duke e amplifikuar e paraqesim në thelbin e në situatën në të cilën gjendet: e paraqesim më të madhe, në pamje të parë nga ç’është, por jo më shumë se sa është në të vërtetë. Amplifikimi duhet të bëhet nëpërmjet një veprimtarie artistike, krijuese, duke na bërë të njohim një send sipas integritetit dhe përsosurisë së tij. Është i papranueshëm përdorimi i fjalëve të shumta e të mëdha për të ekzagjeruar faktet, me qëllim që t’i jepet një gjëje të vogël një pamje e stërmadhe dhe anasjelltas.