Italia dhe refugjatët e Lampedusas fitojnë Berlinalen - Shqiptari i Italisë

Lifestyle
“Fuocoammare”, dokumentari i Gianfranco Rosit mbi sbarkimet e migrantëve në Lampedusa fiton Ariun e Artë në në festivalin e Berlinit
Rosi: “Ua dedikoj të gjithë migrantëve që nuk mbërritën kurrë” dhe propozon çmimin Nobel për populline Lampedusas dhe Lesbos

Romë, 22 shkurt 2016 – “Nuk është e mundur që njerëzit të vdesin në det për të kapërcyer kufijtë”. “Çmimin ua dedikoj të gjithë atyre që nuk mbërritën kurrë”. Ishin për migrantët fjalët e para të Gianfranco Rosit, regjisori i “Fuocoammare” menjëherë pas fitores së Ariut të Artë si filmi më i mirë i vitit në Festivalin e filmit të Berlinit.

Filmi, që regjisori ka realizuar gjatë një viti e gjysmë në Lampedusa, tregon nga një anë jetën e disa prej banorëve të ishullit e nga ana tjetër dramën e migrantëve që marrin detin drejt Evropës.

“Mendja më shkon te të gjitha ata që nuk arritën kurrë në Lampedusa pas një udhëtimi shprese, dhe te populli i Lampedusas që prej 20-30 vjetësh i hap zemrën atyre që mbërrijnë”. Kështu u shpreh Rosi ndërsa merrte çmimin, ndër më të rëndësishmit mbi kinematografinë në Evropë.

“Mikpritja nuk duhet të bëhet nga vendet në veçanti, por nga e gjithë Evropa. Shembulli që dha së fundi Austria [mbylli kufijtë], që po mbyllet në vetvete, nuk ëhstë shembull i mirë” kishte thënë para ceremonisë së dhënies së çmimeve regjisori italian. “Italia ka bërë shumë – shtoi – për 20 vjet ka qenë vetëm, tani më shumë se kurrë nuk është më e mundur të vazhdohet të veprohet kështu”.

“Çmimi Nobel për banorët e Lampedusas dhe Lesbos do të ishte zgjedhje e drejtë dhe gjest simbolik i rëndësishëm. T’i jepet jo një personi por një populli të tërë” këtë kërkoi regjisori në intervistat e dhëna pas fitores në Berlin në nder të njerëzve për të cilët ushqen një respekt të thellë.