Konkurs për pankartën zyrtare të 100-vjetorit të Pavarësisë - Shqiptari i Italisë

Lifestyle
Psa zgjedhjes së logos së 100 vjetorit të Pavarësisë, GKA ka hapur konkursin për posterin zyrtar të festimeve

Tiranë 22 janar 2012 - Pas konkursit për logon dhe monumentin e kulturës për 100-vjetorin e Pavarësisë, Galeria Kombëtare e Arteve shpall konkursin mbarëkombëtar për realizmin e pankartës  festive. Ajo do të përdoret gjatë gjithë vitit jubilar 2012-të dhe do të jetë posteri zyrtar që do të shoqërojë të gjitha festimet publike shtetërore për këtë qëllim. Në konkurs kanë të drejtë të marrin pjesë artistë, studio grafike dhe subjekte (fizikë apo juridikë) me kombësi shqiptare të cilët mund të paraqesin deri në 3 punime origjinale. Në konkurs pranohen punime individuale dhe punime të realizuara në grup, por nuk pranohen studentë.

Destinacioni i përdorimit të posterit do të jetë: billboards, në sheshet dhe vende publike, fasada ndërtesash, poster i vendosur në ambeente publikë apo citylights anash rrugëve kryesore. Posteri duhet të përmbajë edhe logon fituese të miratuar të 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë.

Punimet kandidate duhet të dorëzohen në Galerinë Kombëtare të Arteve, deri në datën 20 shkurt, ndërkohë që në 23 shkurt Komisioni Përzgjedhës nga GKA do t’i vlerësojë dhe pesë punimet më të mira do t’i kalojnë  Komisionit Shtetëror të Festimeve pranë Këshillit të Ministrave që do të shpall fituesin.

Do të vlerësohen tre çmime, çmimi i parë që do të jetë dhe posteri zyrtar i të gjitha festimeve publike shtetërore dhe që do të vlerësohet me 400.000 lekë si dhe çmimi i dytë që do të vlerësohet me 120.000 lekë dhe çmimi i tretë me 80.000 lekë.  Punimet fituese do të bëhen pronë e fondit të GKA-së.

Ndërsa konkursi për logon e festimeve të 100-vjetorit është mbyllur me përzgjedhjen e logos së propozuar nga artisti kosovar Zeni Ballazhi, një stilizim i shqiponjës dykrenare në formën e një flake jubilare, mbetet ende i hapur konkursi ndërkombëtar i monumentit të kulturës, bocetet për të cilin do të dorëzohen në GKA deri në datën 15 mars.